VIDEO - Rasti i Klan Kosova, shumica e mediave bojkotojnë konferencën e ministres Rozeta Hajdari

Gazetarë, kameramanë e fotoreporterë kanë vendosur që të bojkotojnë konferencën për media të ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Në fillim të fjalimit të ministres Hajdari, gazetarët kanë larguar mikrofonat nga foltorja.

Bojkotimi i konferencës nga gazetarët ka ardhur në shenjë revolte të vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Në lidhje me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ditën e djeshme ka thirrur protestë.

Në protestë kanë marrë pjesë dhjetëra gazetarë, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT.

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.