Foto: KALLXO.com

Afera në ministrinë e Rozeta Hajdarit, bastisje nga Njësitë Speciale

Mëngjesin e sotëm Njësitë Speciale kanë bastisur ambientet e Ministrisë së Indrustrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe disa lokacione të tjera në Prishtinë.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës në lidhje me bastisjet por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Foto: KALLXO.com

Javë më parë në gazetën online “Nacionale” janë publikuar audio-incizime për keqpërdorim me rezerva shtetërore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte regaur në lidhje me artikujt.

Përmes një reagimi të gjatë, MINT kishte thënë se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore gjatë procesit të furnizimit me rezervat shtetërore.

MINT kishte deklaruar se në fund të dhjetorit të vitit 2021 kishte hapur thirrje publike për furnizim me rezerva shtetërore.

Ministria tha se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore se, “është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike.”

“MINT siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike. Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”- shprehet MINT.

Më 4 gusht 2023, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se raportimet enga ky medium janë bërë për ta cenuar integritetin e saj.

“Tentimet e dështuara për të cenuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë” – kishte shkruar ajo në Facebook.