Shqipdon Fazliu| Foto: Drejtësia në Kosovë

Afera e Drogës, Fazliu: Asgjë e Jashtëzakonshme Nuk ka Ndodhur

Hulumtimi i emisionit  “Drejtësia në Kosovë”, që u transmetua kësaj radhe, dëshmoi se Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special, Haki Gecaj ishte zënë me drogë bashkë me shokun e tij nga Policia e Kosovës dhe i njëjti e kishte pranuar  këtë edhe para policisë dhe prokurores Arbëresha Shala- Raqa.

Përkundër faktit se i njëjti bashkë me shokun e tij e kishin pranuar se janë zënë me drogë, prokurorja Shala- Raqa, kishte vlerësuar se rasti është i rëndësisë së vogël dhe e kishte mbyllur rastin duke e hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga Policia e Kosovës.

Siç tregoi hulumtimi, Shqipdon Fazliu nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka treguar se prokurorja e ka vlerësuar rastin në bazë të ligjit dhe se sasia e narkotikut ka qenë  vetëm 1.12 gramë, respektivisht te shoku i tij 0.73 gramë.

“Në rastin për të cilin ju keni dërguar pyetjet, bëhet fjalë për një person që është akuzuar për veprën penale të paraparë me nenin 275.2 të KPRK-së, apo posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, ose analoge. Dënimi i paraparë nga ky nen është me gjobë, ose me dënim me burgim deri në 1 vit. Pra ligjërisht, mund të zbatohet neni 231 apo 230 të KPP-së. Po ashtu nga shkresat e rastit rrjedh se personi në fjalë është penduar për kryerjen e kësaj vepre penale, se nuk ka të kaluar kriminale, është i martuar dhe një mori rrethanash të vlerësuara nga prokurorja e rastit. Sasia e narkotikut të gjetur te personi në fjalë është 1.12 gramë marijuanë, apo te i dyti në sasi prej 0.73 gramë”.

Prokurori i shtetit Shqipdon Fazliu në përgjigjet e tij dhënë për “Drejtësia në Kosovë, më tej ka thënë se janë 1077 raste kur prokurorët kanë mbyllur hetimet, apo kanë hedhur kallëzimet penale duke u thirrur në ligjet në fuqi.

Mirëpo, siç tregoi hulumtimi, ai nuk ka qenë në gjendje të ofrojë të dhëna të sakta se sa raste nga këto 1077 janë më drogë.

“Ju japim edhe disa statistika interesante që adresojnë pyetjen tuaj të fundit. Më 2017, Prokurori i Shtetit në nivel vendi ka përfunduar 1962 raste të tilla me 2457 persona, Më saktë akoma, me nenet 230, 231 dhe 232 apo hedhjet apo pushimet e kallëzimeve penale (edhe atëherë kur ata pranojë fajësinë sikur dëshironi t’i referoheni) kemi në nivel vendi, 1077 kallëzime të tilla të hedhura apo të pushuara dhe rasti të cilit jo po i referoheni është vetëm njëri nga 1077 të tillat. Pra, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjet e Fazliut, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Deklaratën e Fazliut mund ta ndiqni në vijim.

Në anën tjetër siç tregoi hulumtimi, prokurori special Haki Gecaj, djali i të cilit ishte zënë me drogë dhe prokurorja Arbëresha Shala – Raqa që ia kishte mbyllur rastin, nuk kanë pranuar të intervistohen.  Madje Gecaj, siç dëshmoi “Drejtësia në Kosovë”, ai nuk ka treguar as kontaktet e djalit të tij.