ACDC: Dënojmë ashpër veprimet e dhunshme të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale

Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike, ACDC ka reaguar në lidhje me zhvillimet e djeshme në veri të Kosovës.

ACDC e ka quajtur inkursion (sulm) reagimin e Policisë së Kosovës, duke e dënuar atë.

“Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike, dënon ashpër inkursionin e dhunshëm të forcave të Policisë Speciale të Kosovës në ndërtesat e vetëqeverisjes lokale në veri të Kosovës. Theksojmë se çdo formë e veprimit të dhunshëm ndaj qytetarëve, të cilët kanë të drejtën e protestës paqësore për shkak të veprimeve të njëanshme të autoriteteve në Prishtinë, është e papranueshme. Shqetësues është fakti i përdorimit të forcës fizike ndaj qytetarëve, mes të cilëve kishte edhe gra” – thuhet në komunikatë.

Sipas ACDC, veprimet e dhunshme të policisë, prishin procesin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve.

“Veprimet e dhunshme të Policisë së Kosovës prishin procesin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve dhe paraqesin vazhdimin e presionit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili është intensifikuar me ndërtimin e bazave duke uzurpuar pronat private, si dhe me vendosjen e postblloqeve të njësive speciale në veri të Kosovës”- është thënë në njoftim.

ACDC u ka bërë thirrje qeverisë që “që të ndërpresë veprimet e njëanshme dhe të tërheqë njësitë speciale nga komunat në veri të Kosovës dhe të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura në mënyrë paqësore me ndërmjetësimin e BE-së dhe përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë”.

Të premten, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

LIVE – Zhvillimet në veri