Abdixhiku për Kurtin: Besoj se është i paaftë për të qeverisur dhe i dëmshëm për vendin tonë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar videon e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e përfshin atë në mesin e udhëheqësve “që e kanë shkatërruar vendin në 20 vitet e fundit”.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Abdixhiku tha se nuk mund ta cilësojë kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, sikur të tjerët – shërbëtor ose bashkëpunëtor të Serbisë, por tha se e vlerëson të paaftë për të qeverisur.

“Unë shpesh kam parë se i thonë kundërshtarit tim, Albin Kurtit, shërbëtor i Serbisë. Nuk mund ta bëj një gjë të tillë. Unë besoj se është i paaftë për të qeverisur dhe i dëmshëm për vendin tonë. Është polarizues dhe nuk ka aftësi të qeverisë dhe mbi këto baza do ta kundërshtoj, por nuk mund të them që është bashkëpunëtor i Serbisë siç nuk pres që ai të më konsiderojë shkatërrues të shtetit, aq më pak kur kemi bashkëpunuar një pjesë të caktuar të kohës e aq më pak kur në periudha të caktuara bënte përpjekje të qeverisnim bashkë” – ka thënë Abdixhiku.

Ai gjatë emisionit “Debat Plus” e cilësoi gjuhën e Kurtit si polarizuese, ofenduese dhe të rrejshme.

“Pra këtë gjuhë të tij polarizuese, ofenduese dhe të rrejshme pra propagandë, e shoh vetëm si mjet dëshpërues politik për të mbyllur sytë ndaj krizave të vazhdueshme që i ka ky vend por jo si zgjidhje ndaj problemeve që ne do t’i kemi” – u shpreh Abdixhiku dukë thënë se Kosova duhet të jetë në platformën evropiane të komunikimit.

“Besoj që na duhet një diskurs më i ri politik, si gjeneratë e kemi obligim ta sjellim Kosovën në platformën evropiane të komunikimit” – vijoi ai.

Me 3 tetor të këtij viti Lëvizja Vetëvendosje (LVV)ka publikuar një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite, e tani edhe për sabotim të shtetit përmes sindikatave greviste. Në videon 2-minutëshe, LVV ka vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.

LVV dhe LDK kanë qenë në koalicion dhe kishin qeverisur për afër dy muaj gjatë vitit 2020.

Qeveria Kurti 1 u miratua më 3 shkurt të vitit 2020 në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditë negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në e të dytën LDK-në.

Mirëpo këtij koalicioni i erdhi fundi rreth dy muaj më pas, kur më 25 mars 2020 Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës.