Foto: KALLXO.com

Abdixhiku: LDK nuk do jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha sot, më 10.03.2025, se LDK nuk do jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit dhe nuk punojmë për qeveri afatshkurtër, dhe nuk kemi interesim pa e zgjidhur çështjen e presidentit.

“Nuk kemi pasur asnjë takim, me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos nuk kemi pasur takim me LVV. Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta” ka theksuar Abdixhiku.

“I takon të parit që të nisë afatet kushtetuese. Vendit i duhet Qeveria e Parlamenti. I pari duhet të caktojë emrin për kryetar të Kuvendit. Presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Pas saj do kemi edhe qëndrimin e LDK-së“ – shtoi tutje ai.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku tha se diskutuan për procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025.

Abdixhiku tha se në mbledhjen e kryesisë vlerësuan se rezultati është me rritje me 20 mandate.

“Është rritje e mbarë dhe e mirë e i jep stabilitet LDK-së. E kuptojmë mesazhin e qytetarit, nuk do sillemi ndryshe » theksoi kreu i LDK-së.

Sipas rezultateve ende preliminare të zgjedhjeve të 09.02.2025 Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, e ndjekur nga PDK me 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64% apo 149,095 vota, koalicionni AAK-Nisma Socialdemokrate 7.46% apo 63,035 vota.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.