AAK: Ligji për skemat pensionale nuk i adresoi çështjet e Kushtetueses

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një konferencë për media është deklaruar në lidhje me miratimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky ligj është miratuar pa u adresuar çështjet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ligji për skema pensionale dje ka kaluar me probleme serioze që nuk janë adresu çështjet e Gjykatës Kushtetuese”- ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, deputeti Shemsedin Dreshaj tha se pjesëtarë të Listës Guxo që janë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje kanë pasur pozicionim të njëjtë me AAK-në.

“Pjesëtarët e Lista Guxo për herë të parë patën pozicionim drejtë. Ne kemi propozuar që paragrafi 2.2 i nënit 8 për pensionin parcial kontribut dhënës të largohet. Arsyeja është sepse shumica e të dëbuarve nga puna nuk kanë dëshmi lidhur me tyre , pra janë largu pa vendime, këta nuk mund të sjellin dëshmi që janë larguar dhunshëm”- ka thënë Dreshaj.

“Kemi propozuar amendamentin e dytë për me u ndërru paragrafi, të aplikohet parimi i proporcionalitetit sipas viteve kontributpaguese deri në vitin 2002. Amendamenti tjetër ka qenë që lartësia pensionale për pensionimin parcial për secilin nivel të përcaktohet sipas formulës duke startuar nga 20%-shi i pagës dhe të shtohet për 1%. Fatkeqësisht nuk janë aprovuar”- shtoi ai.

Dreshaj ka theksuar se përkundër vendimit të Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse, sipas tij ka vazhduar diskriminimi me 15-vjeteshin.

“Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontribut dhënëse, vazhdoi diskriminimi me 15-vjeteshin prapë, 15-vjetëshi është ligj i ish-Jugosllavisë. Ndërsa i njëjti ligj parasheh që në rast se nuk i plotësoni 15 vite deri në ditën kur dilni në pension keni të drejtë e blerjes deri në 3 vjet të stazhit, ky nuk implementohet me anë të këtij ligji”- tha Dreshaj.

“Me këtë ligj Kosova është i vetmi vend në botë që nuk i njeh avancimet profesionale dhe shkencore që i ka lëshu vet shteti gjatë viteve 89-99, nuk njihen për pensionim ndërsa njihen për punësim”- ka thënë mes tjerash ai.

Miratohet në parim Projektligji për skemat pensionale

Më 5 korrik 2023 Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, duke iu njohur të drejtën e personave që janë larguar nga puna para vitit 1999, që të marrin pension kontributdhënës.

Me këtë vendim, Qeveria do t’ua njohë kontributin pensional atyre punëtorëve që nuk i kishin 15 vjet përvojë pune dhe atyre që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës pas vitit 1990.