FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

A mund të rikthehet Kosova në ushtrimin ushtarak “Defender”?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në emisionin KallxoPërnime ka shpjeguar rikthimin e Kosovës në organizimin e madh ushtark “Defender”, nga i cili vendi u përjashtua në maj të këtij viti, si masë sanksionuese pas zhvillimeve në veri.

Maqedonci tha se kanë pasur ekipin e tyre në muajin e kaluar që ka marrë pjesë në konferencën planifikuese për “Defender 2025”.

“Është për tu theksuar që ky përjashtimi që po theksohet shpesh, nga “Defender”, është bërë për një copëz të ushtrimit, përndryshe ushtrimi “Defender” është i përvjetshëm. Ne vetëm kemi pasur ekipin, muajin e kaluar që ka marrë pjesë në konferencën planifikuese për “Defender 2025”. Ne kemi vazhduar të gjitha aktivitetet e tjera bilaterale sipas planifikimit, kemi shtim të aktiviteteve në fakt”- tha ministri.

Ai ka theksuar se Kosova nuk është përjashtuar prej ushtrimit, por që sipas tij është pezulluar vetëm DV-Day që është dita e vizitorëve.

“Në fakt nuk na kanë qitë prej “Defender”-it, na kanë pezulluar ditën e vizitorëve që ka qenë dita e prezantimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës para publikut dhe para personaliteteve të larta. Është ushtrim jashtëzakonisht i madh, pezullimi është bërë i një pjese shumë të vogël që është dita e vizitorëve”- tha Maqedonci.

“Mos mundësia e prezantimit se çka kemi bërë për një vit e gjysmë. Kanë përfundu ushtrimet dy tri ditë para se të bëhet DV-day. Dy ditë para se të përfundojë ushtrimi janë përfunduar pjesa dërmuese e gjithë aktiviteteve të planifikuara në ushtrimin ‘Defender’”- theksoi ai.

Më tej, ministri ka shpjeguar se Forca e Sigurisë së Kosovës plotësohet me pajisje dhe me sisteme të armatimit bazuar në planin e tranzicionit që ka si forcë, teksa shtoi se një pjesë e tyre është demonstruar edhe gjatë përgatitjeve për “Defender Europe 23”.

“Ne vazhdojmë të plotësohemi me pajisje dhe me sisteme të armatimit bazuar në planin e tranzicionit që kemi si forcë. Unë mund të theksoj që sepse edhe janë parë edhe në publik një pjesë e tyre që kemi demonstruar gjatë përgatitjeve për “Defender Europe 23”. Kemi sisteme antitank ndër më modernet që ekzistojnë aktualisht”- tha Maqedonci.

Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Ushtrimi fushor “Defender Europe”, është ushtrim vjetor i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.

Kosova ishte pjesë e “Defender Europe 21” ndërsa planifikohej të ishte pjesë edhe këtë vit.

“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova do të ishte mikpritëse e mbi 1 mijë trupave. Ushtrimet do të kryenin në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.

Çka është “Defender Europe” ushtrimi nga i cili u përjashtua Kosova?