Vendi i aksidentit. Foto: Facebooku i Hekurudhave Shtetërore të Tajlandës

28 të vdekur nga rënia e vinçit mbi një tren në Tajlandë

Të paktën 28 ​​persona kanë vdekur dhe 64 të tjerë janë plagosur pasi një vinç ndërtimi ka rënë mbi një tren në lëvizje në Tajlandën verilindore, ka raportuar të mërkurën (14.01.2026) BBC.

Vinçi e nxori trenin nga shinat dhe shtypi disa nga vagonët e tij, njëri prej të cilëve u përfshi nga flakët.

Të dhënat zyrtare thonë se rreth 195 pasagjerë ndodheshin në tren në momentin kur ndodhi aksidenti rreth orës 09:00, sipas orës lokale.

Ekipet e shpëtimit më vonë ia dolën të evakuonin plotësisht të gjithë pasagjerët dhe shumë nga të plagosurit u transferuan në spitalet e rajonit.

Qeveria ka urdhëruar të hetohet incidenti, i cili ndodhi pas një mori aksidentesh të tjera fatale për shkak të mangësive në fushën e sigurisë.

Treni po udhëtonte nga Bangkoku në provincën verilindore Ubon Ratchathani kur ndodhi aksidenti.

Vinçi po përdorej për të ndërtuar një hekurudhë ajrore që është pjesë e një projekti të mbështetur nga Kina për ta lidhur Bangkokun me Laosin fqinj, ku një linjë me shpejtësi të lartë e ndërtuar nga kinezët tashmë po zgjatet drejt Kinës jugperëndimore.

Një i mbijetuar, anëtari i stafit të trenit, Thirasak Wongsoongnern, u ka thënë mediave lokale se ai dhe pasagjerët e tjerë u hodhën përpjetë pasi vinçi ra mbi ta.

Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, ka bërë thirrje që “dikush të ndëshkohet dhe të mbahet përgjegjës” për incidentin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com