25 të lënduar pas shpërthimit të një gazi në Madrid
Të paktën 25 persona kanë mbetur të lënduar e tre prej tyre në gjendje të rëndë, pas një shpërthimi të gazit që ndodhi të shtunën, më 13.09.2025 në Madrid, raporton El Pais.
Kreu i zjarrfikësve të Bashkësisë së Madridit, ka shpjeguar se bëhet fjalë për një shpërthim gazi, por ende nuk mund të specifikojnë llojin e gazit, shkakun ose vendin e saktë ku ka ndodhur.
Ndërtesa është evakuuar dhe zv.kryetarja e Madridit, Inmaculada Sanz, ka deklaruar se është e mundshme që banorët e nëntë banesave të pallatit me tre kate të duhet të zhvendosen për disa ditë, pasi “ka pasur dëmtime të konsiderueshme në strukturën mes katit zero dhe të parit.
Policia ka bllokuar trafikun në zonë dhe agjentët po e rregullojnë atë në rrugët përreth.
Kryetari i Madridit, José Luis Martínez-Almeida, ka shprehur përmes rrjetit social X “mbështetjen” e tij për të lënduarit dhe familjet e tyre.