"El Pais" para ndeshjes Kosovë-Spanjë: Kosova, ëndrra e Fadil Vokrrit

Në ditën kur Kosova do të përballet me Spanjën, media spanjolle “El Pais” ia ka dedikuar një artikull legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Në këtë artikull u përmblodhën ngjarje nga jeta dhe disa nga veprat e tij.

“El Pais” ka shkruar se është e pamundur që të ndash futbollin në Kosovë nga figura e atij që quhej “Maradona i Kosovës”, pra Fadil Vokrri.

Në artikull tregohet se si në pension, Fadil Vokrri, si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, në vitin 2016 arriti ta bëjë Kosovën të njohur nga FIFA dhe UEFA dhe falë kësaj Kosova mund të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.

Për “El Pais” foli edhe djali i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri.

“Pas ditës së shpalljes së pavarësisë, ai ka qenë momenti më i rëndësishëm për shtetin tonë të ri. Babai im punoi shumë për të. Futbolli ishte jeta e tij dhe ai donte të promovonte vendin përmes lojërave, të bënte një projekt për të rinjtë në mënyrë që ata të shpëtonin familjet e tyre ”, ka thënë ai për “El Pais”.

Të njëjtit vazhduan duke thënë se babai i Gramozit është një simbol kombëtar e akoma protagonist i përditshëm i bisedave familjare në të cilat brezat që e panë atë të luante me numrin nëntë te ekipi i Prishtinës, u thonë më të vegjëlve se çdo të dielë ai i bëri ata të harrojnë vështirësitë që kanë kaluar, përfshirë urinë.

“Për një ekip si Spanja, me të gjithë yjet e saj, të luash në stadiumin tonë është një ëndërr që i bën të gjithë kosovarët të lumtur”, ka thënë tutje Gramoz Vokrri për median spanjolle.

Gramoz Vokrri ka thënë se një nga arsyet se pse njerëzit e adhuronin babanë e tij është sepse në stadium ishte i vetmi vend ku ata mund të ndiheshin shqiptarë.

“El Pais” tregoi se si para dhe gjatë konfliktit me Serbinë, futbolli ishte simbol i rezistencës për popullatën shqiptare të Kosovës.

Tutje ata vazhduan duke thënë se autoritetet serbe kanë bërë çmos për të parandaluar që kosovarët ta praktikonin futbollin.

“Një lojë në rrugë ose në një stadium ishte një mënyrë për t’u rebeluar dhe përforcuar ndjenjat kombëtare”, thuhet tutje.

Sipas tyre një ndër të bëmat që Vokrri bëri si futbollist është kur me Prishtinën shënuan fitore kundër klubit serb “Crvena Zvezda” në Beograd.

Në këtë artikull u shpjegua se si pranë derës kryesore të hyrjes në stadium ka një statujë që nderon figurën e idhullit kosovar, Vadil Vokrri.

Statujë që u përurua me nderime shtetërore, më 23 korrik, në ditëlindjen e Fadil Vokrrit.

“El Pais” ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi pozën që zgjodhi skulptori për të përshkruar futbollin e Vokrrit, trungun e përkulur, kokën lartë dhe topin të ngjitur në këmbën e djathtë.

“Ai ishte krenaria e gjithë Kosovës dhe kur gjërat ishin shumë të vështira në aspekte të tjera, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. Kjo statujë përfaqëson momentin kur Fadil Vokrri merr topin para se të hyjë në zonë duke shikuar këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do të driblojnë”, kishte thënë Kurti gjatë përurimit të statujës së Vokrrit.

Kjo media Vokrrin e cilëson si “më i fortë se politika”.

Ata shpjeguan se si ai ishte rekrutuar nga Partizani i Beogradit, me të cilin fitoi titullin në ligë.

“El Pais” ka shkruar edhe se si fama e Vokrrit kaloi kufinjtë dhe e bëri atë të njohur në Turqi e në Francë.

“Babai im ishte i impresionuar nga tifozët turq, por edhe se ai nuk kishte probleme për të luajtur futbollistët e të gjitha kombësive dhe kulturave”, vazhdon Gramoz Vokrri.

Edhe Juventusi i Torinos gjithashtu e vuri re Vokrrin por transferimi nuk mund të finalizohej.

I pensionuar në Francë, pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë, Vokrri u kthye në Prishtinë.

“Ai u kthye për të punuar për të rinjtë, ai është krenar për atë që bëri, por tani ne duhet të krijojmë më shumë idhuj. E ardhmja është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se kur rezultatet nuk janë të mira lojtarët tanë më të rinj preferojnë të luajnë për Zvicrën ose Gjermaninë”, përfundon djali i Fadil Vokrrit, i cili sonte do të kishte realizuar ëndrrën e tij të madhe, për të parë Kosovën të luante kundër njërës prej skuadrave më të mëdha evropiane, përfundon “El Pais”.

Sonte, Kosova do të përballet me Spanjën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katar 2022”.