200 kilogram mish po transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, Dogana jep detaje

Dogana e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e rreth 200 kilogramëve mish në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, në një rast që autoritetet e kanë cilësuar si rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 15.05.2026 rreth orës 18:20, në hyrje të vendit.

Zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet udhëtarësh, drejtuesi i të cilit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur para autoriteteve.

Megjithatë, pas kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar 10 rollne dyneri me peshë nga 20 kilogramë secila, në një sasi totale prej rreth 200 kilogramësh.

Sipas Doganës, vlera e mallit të sekuestruar llogaritet rreth 800 euro.

Autoritetet kanë bërë të ditur se mishi transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, pa kushte higjienike dhe pa sistem frigoriferik për ruajtjen e temperaturës së nevojshme.

Dogana ka theksuar se, përveç tentativës për shmangie të detyrimeve doganore, rasti paraqet shqetësim serioz edhe për faktin se malli synonte të hynte në Kosovë pa iu nënshtruar kontrollit sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Hyrja e produkteve të tilla jashtë çdo standardi të transportit dhe pa kontroll profesional përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve, nga kjo sasi mishi mund të prekeshin mijëra qytetarë në rast të daljes në treg për konsum.

Malli është sekuestruar dhe ndaj palës është iniciuar procedurë kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin aktivitetet joformale dhe kontrabandën, duke paralajmëruar pasoja ligjore dhe rrezik për shëndetin publik nga shmangia e kontrolleve të sigurisë ushqimore.