Përmes ADN-së e gjeti familjen e saj të cilën e humbi 51 vjet më parë

Një familje në Fort Worth, Teksas, është ribashkuar me vajzën e tyre e cila u rrëmbye si foshnje më shumë se pesë dekada më parë falë një përputhjeje të ADN-së nga shërbimi i prejardhjes 23andMe, njoftoi familja të dielën.

Melissa Highsmith ishte vetëm 22 muajshe në vitin 1971 kur dyshohet se u rrëmbye nga një grua që ishte punësuar për t’u kujdesur për fëmijën, sipas postimeve të shumta nga familja gjatë viteve.

Highsmith – e rritur me emrin Melanie – ka jetuar në Fort Worth për pjesën më të madhe të jetës së saj, duke mos e ditur asnjëherë se ajo ishte e zhdukur, sipas degës së CNN KTVT.

Ajo nuk e kishte idenë se familja e saj po e kërkonte derisa e kontaktuan përmes Facebook-ut. Në fillim, ajo mendoi se mesazhi mund të ishte një mashtrim.

“Babai më dërgoi mesazhe në messenger dhe më tha: “E di, unë kam 51 vjet që kërkoj vajzën time”- tha Highsmith për KTVT.

Familja e gjeti Highsmith-in përmes një përputjeje të ADN-së me një nga fëmijët e saj në 23andMe, raportoi KTVT.

Prindërit e Highsmith u ribashkuan me të për herë të parë të shtunën dhe bënë “testim zyrtar dhe ligjor të ADN-së”- shkroi familja në internet.

“Edhe pse në momentin që pamë fotot e saj, morëm vesh për shenjën e saj të lindjes dhe kuptuam se ‘ditëlindja’ e saj është kaq afër Melisës sonë, NE DITËM pa asnjë dyshim se kjo ishte VAJZJA JONË”- shtoi familja në një postim në Facebook.

Një profil i rastit të Highsmith nga Sistemi Kombëtar i Personave të Zhdukur dhe të Paidentifikuar vë në dukje se foshnja e zhdukur kishte një shenjë lindjeje në pjesën e sipërme të shpinës. Raporti përfshin gjithashtu një skicë të dados së supozuar dhe fotot e përparimit të moshës të Melissa-s.

“Nuk mund ta besoja”- tha nëna e saj, Alta Apantenco për KTVT mes lotësh, duke kujtuar ribashkimin. “Mendova se nuk do ta shihja më kurrë”.

“Zbulimi ynë i Melissa-s ishte thjesht për shkak të ADN-së, jo për shkak të ndonjë përfshirjeje të policisë/FBI-së, përfshirjes në podcast, apo edhe hetimeve private apo spekulimeve të familjes sonë”, shkroi një nga anëtarët e familjes Highsmith në Facebook./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala