Pamje nga festivali ‘Moisiu 2025’. Foto: KALLXO.com.
Shfaqja nga Tirana hap edicionin e tretë të Festivalit “Moisiu”, përmbyllet me sukses rotacioni i parë i bashkëpunimit mbarëkombëtar teatror
Shfaqja “Si ta doni” e Teatrit Kombëtar të Tiranës hapi të shtunën, më 22 nëntor 2025, edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, në një atmosferë festive në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Ky edicion ishte paraparë të zhvillohej në vitin 2024, por ishte anuluar për shkak të grevës së punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK).
Festivali “Moisiu”, i cili u themelua në vitin 2022 si një ngjarje vjetore, për t’u mbajtur me rotacion, një vit në Shkup, një në Tiranë e një në Prishtinë, tashmë shënon përmbylljen e ciklit të parë. Edicionet e para u realizuan në Shkup (më 2022) dhe Tiranë (më 2023).
Dy shfaqje në natën e parë
Mbrëmja e hapjes solli për publikun dy prodhime teatrale. Festivali u çel me komedinë romantike të Shekspirit “Si ta doni”, me regji të John Blondell, ndërsa në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë u shfaq komedia e zezë “Një dorëzim në Spokan” e dramaturgut anglez Martin McDonagh, me regji të Afeida Boriçi-Memeti, realizuar nga Teatri i Preshevës.
Drejtori i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, theksoi në hapje se ky festival po e mbyll rotacionin e tij të parë pikërisht sipas marrëveshjes së themelimit.
“Jemi të lumtur që po e finalizojmë ciklin e parë në Prishtinë. Për gjashtë ditë do të festojmë me shfaqje nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Presheva”- u shpreh ai.
“Si ta doni” – Dashuria si arratisje dhe shpëtim
Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Tiranës përcolli për publikun historinë e Rosalindës dhe Celias në arratisjen e tyre drejt Pyllit të Ardenit – një vend ku dashuria dhe liria marrin formë të re.
Aktori Laert Vasili, pas shfaqjes, u shpreh se komedia e Shekspirit risjell mesazhin universal të dashurisë si forca që zhbën barbarinë dhe dhunën.
“Jam shumë i prekur që ky festival po vazhdon në viset e shqiptarisë. Është një mrekulli që Tirana, Shkupi e Prishtina e mbajnë këtë traditë”- tha ai.
Ndërsa aktori Lulzim Zeqja, i cili luan vëllanë e keq në shfaqje, shtoi se pati një prezantim që pret të vlerësohet nga publiku.
“Roli më shkon, publiku e vlerëson, dhe sa herë vij në Prishtinë ndihem si herën e parë, menjëherë pas luftës” – potencoi Zeqja
“Një dorëzim në Spokan” – Komedi e zezë me ritëm dhe tension
Trupa e Teatrit të Preshevës solli një interpretim të fuqishëm të komedisë së McDonagh, që ndjek kërkimin absurd të një burri pas dorës së tij të humbur 27 vite më parë. Shfaqja u prit mirë nga publiku për humorin e errët dhe tensionin dramatik.
Regjisorja Afeida Boriçi-Memeti u shpreh se pjesëmarrja e Preshevës në këtë festival ka një rëndësi të madhe.
“Festivali ‘Moisiu’ është më i madhi dhe mbledh shfaqjet më të mira. Për një teatër të vogël si Presheva, kjo është nder dhe privilegj”- tha ajo.
Rëndësia kombëtare e festivalit
Studiuesi i dramës shqipe, Besim Rexhaj, tha për KALLXO.com se hapja e festivalit përcolli dy tablo të ndryshme, por të rëndësishme artistike.
Sipas tij, “Si ta doni” spikati në aspektin vizual dhe tipologjik, ndërsa “Një dorëzim në Spokan” u zhvillua në një situatë ekstreme që ekspozon psikologjinë e personazheve.
Rexhaj vlerësoi festivalin “Moisiu” si një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës teatrore shqiptare.
“Është me rëndësi të madhe për publikun dhe njerëzit e teatrit, sepse sjell produksione që përndryshe nuk do të mund t’i shihnin. Është luks të kesh rreth dhjetë shfaqje brenda një jave”- tha Rexhaj.
Programi i festivalit
Për edicionin 2025 janë planifikuar nëntë shfaqje nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Presheva.
Sheremeti theksoi se çdo natë do të shfaqen nga dy shfaqje, model që ka rezultuar i suksesshëm edhe në edicionet e kaluara.
“Me mbajtjen e këtij edicioni mbyllet rotacioni i parë i festivalit që është një moment simbolik që garanton vazhdimësinë e festivalit”- tha ai.
Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ismet Ramadani, e vlerësoi festivalin si një ndër idetë më të mira të bashkëpunimit kulturor shqiptar.
“Shkupi, Tirana dhe Prishtina kanë treguar se festivali është i nevojshëm dhe duhet të vazhdojë”- tha Ramadani për KALLXO.com.
Programi i ditëve në vijim:
23 nëntor – “Vojçeku” (Gjakova), ora 20:30, Amfiteatri i TKK.
24 nëntor – “Na ishte njëherë” (Korça) & “Martesa” (TKK).
25 nëntor – “Babai” (Tirana) & “Marrëdhëniet” (Gostivar).
26 nëntor – “Në përballje me vdekjen” (Tetova) & “Komedia e zezë” (Prizreni).
27 nëntor – Ceremonia përmbyllëse dhe ndarja e çmimeve
Juria e festivalit përbëhet nga: Arben Bajraktaraj, Driar Kaba Karaga, Arben Derhemi dhe Helidon Fino.
Edicioni i anuluar dhe greva e vitit 2024
Festivali “Moisiu” është themeluar në 2022 nga tri teatrot shqiptare, TKK, Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri Shqiptar në Shkup.
Edicioni i parë, më 2022 është mbajtur në Shkup, i dyti në Tiranë, më 2023, ndërsa edicioni i tretë planifikuar të mbahet në nëntor të 2024 u anulua për shkak të grevës së punëtorëve të TKK-së.
Më 18.11.2024, Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës hyri në një grevë të përgjithshme me kërkesa për rishikimin dhe rritjen e koeficientëve të pagave sipas meritave për punëtorët e TKK-së.
Për shkak të grevës, ishte anuluar mbajtja e festivalit “Moisiu”, i cili ishte planifikuar të hapej me premierën e shfaqjes “Emira” më 20.11.2024.
Sipas rotacionit vitin e ardhshëm (më 2026), festivali “Moisiu” mbahet në Shkup.



