Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Prokuroria vë nën llupë rastin e konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar

Historia e konkursit më të famshëm në Kosovë, atij për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtare të Kosovës është vënë nën llupën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Vetëm më 5 janar të këtij viti Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosova arriti të zgjedh Kushtrim Mehmetin në postin e Udhëheqësit Artistik (UA) të TKK-së, pas 5 konkurseve të për këtë pozitë, të përcjella me akuza për shkelje ligjore e favorizim kandidatësh.

Por, edhe zgjedhja e Mehmetit në pozitën e UA së TKK-së është kontestuar nga regjisori Sokol Plakolli. Regjisori Plakolli ishte kundër kandidat i Mehmetit për pozitën e UA-së TKK-së, por edhe pjesë e 4 konkurseve tjera për këtë pozitë.

Plakolli pretendon se i është bërë e padrejtë dhe qëllimisht është dëmtuar nga KD i TKK-së dhe ka ngritur kallëzim penal në prokurori  ndaj KD-së së TKK-së po edhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Plakolli ka thënë se në prokurori ka ofruar dëshmi se 5 herë radhazi është manipuluar me konkursin publik për UA të TKK së.

Në dy të fundit, konkursin e datës 19.01.2022, në tri raste Komisioni i Ankesave vërtetoi pretendimet e Plakollit, se përgjigjet e tij nuk ishin vlerësuar drejtë nga KD-ja i TKK-së. Ndërsa, në konkursin e fundit pati dyshime për rrjedhje të pyetjeve të testit tek kandidatët konkurrues.

“Në vitin 2022 ku Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa (në MKRS), bazuar në ankesën time vërteton vjedhjen e pikëve në konkurs publik në vendimin me nr. protokolli: 1754 / 2022, me ç’ rast testi u kthye në ri vlerësim, por edhe në ri vlerësim pati vjedhje të sërishme të pikëve. Po në vitin 2022, përsëri testi me shkrim u anulua nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, (ku KD-ja u obligua të hartojë test korrekt) edhe për shkak të dyshimeve të bazuara për rrjedhje të përgjigjeve të pyetjeve”- ka thënë Plakolli për KALLXO.com.

Plakolli thotë se në krye të padisë së tij gjendet ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku e Këshill Drejtues i TKKK-së.

“Në krye të akuzës është ministri Çeku, i cili për 5 herë radhazi nuk ndërmori asnjë hap kundrejt KD të TKK së,  këshill i cili në vazhdimësi nga vet organi i MKRS ( Komisioni i Ankesave) u zu në keqpërdorim të pozitës zyrtare”- ka thënë ai.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar kallëzimin penal të Plakollit ndaj Çeku e të tjerëve, po nuk ka dhënë detaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se kjo çështje ndodhet në fazën e grumbullimit dhe sigurimit të informatave dhe provave, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”-thuhet në përgjigjën e Zyrës për Komunikim Publik në ZKPSH- Prokuroria Themelore në Prishtinë.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me padinë e Plakollit ndaj zyrtarëve të saj, deri në publikimin e artikullit. Ndërsa, Visare Aliu, kryetar e KD-së së TKK-së, ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni lidhur me ndonjë hetim për konkursin për zgjedhjen e UA-së së TKK-së.

“Jo, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka pranuar asnjë ftese zyrtare nga prokuroria lidhur me rastin qe po e përmendni”- ka thënë ajo, për KALLXO.com.

Nga qershori i 2019-ës, kur regjisori Fatos Berisha refuzoi postin e UA së TKK-së, pasi u përzgjodh si kandidati më i suksesshëm i konkursit të hapur më 22.05.20219, MKRS-së iu deshëm të hap edhe 5 konkurs tjera për zgjedhjen e UA-së TKK-së.

Sipas ligjit në fuqi për teatrot, Udhëheqësi Artistik zgjidhet me konkurs publik nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar.