'Prishtina Music Conference' shpalos temën e edicionit të tretë
Edicioni i tretë i “Prishtina Music Conference” (PMC) do të mbahet më 3 dhe 4 nëntor 2023 në Kino Armata në Prishtinë. Ndërsa tema e këtij edicioni është caktuar të jetë “Përgjegjësia”, e cila pritet të eksplorohet përmes një sërë programesh dhe aktivitetesh që do të mbahen gjatë konferencës.
“Tema e edicionit të tretë ‘Prishtina Music Conference’ në vitin 2023 do të jetë ‘Përgjegjësia’. Kjo temë do të eksplorohet përmes një sërë programesh dhe aktivitetesh të konferencës duke përfshirë diskutime në panel, prezantime, ekspozita dhe shfaqje”- kanë thënë nga PMC-së.
Organizatorët e kësaj konference, kanë bërë të ditur se PMC është një platformë edukative që ofron mundësi rrjetëzimi, promovimi dhe frymëzimi për artistët përmes shfaqjeve, diskutimeve në panel, prezantimeve, ekspozitave, seminareve dhe masterklasave.
“Konferenca e këtij viti do të ketë deri në 15 folës dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh, duke filluar nga paneldiskutimet, prezantimet, sesionet edukative, punëtoritë, një ekspozitë dhe koncerte. Konferenca do të përmbyllet me after -party-n zyrtar Rave Festival në natën finale” – thuhet në njoftimin e PMC-së.
Sipas organizatorëve, PMC është projektuar për të mbështetur dhe rritjen e industrisë artistike kosovare.