Të enjten nis edicioni i 10-të i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’
Të enjten nis në Prishtinë edicioni i 10-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014. Edicioni i 10-të jubilar i këtij festivali hapet në ora 18:00 në Kino ABC në Prishtinë.
Edicioni i sivjetmë i këtij festivali që mbahet nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë.
Organizata “Integra”, një nga organizatorët e këtij festivali, ka bërë të ditur se këtë vit qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.
Ky edicioni i festivalit “Mirëdita, dobar dan” hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andriq, film ky fitues i shumë çmimeve, i cili sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen.
“Publiku po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome ‘Pretty Loud’ të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndërrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike” – thuhet në njoftimin e OJQ “Integra”.
Sikurse viteve të kaluara, gjatë edicionit të këtij viti do të ketë diskutime për tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librave e debateve që në fokus kanë marrëdheniet mes dy vendeve.
Edicioni i 10-të i “Mirëdita dobar dan!” mbyllet më 6 maj, me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund.