Nis festivali i filmit frankofon, Kurti: Kinemaja franceze është shumë thellë në mendjen dhe shpirtin tim  

Ka nisur sot edicioni i 23-të me radhë i festivalit të filmit frankofon në Kosovë.

Hapja e festivalit është përcjellë nga një panel diskutimesh në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, përfaqësues të ambasadave frankofone, regjisorja Luana Bajrami e Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Gjatë këtij paneli u diskutua mbi prezantimin e grave në kinematografi, në veçanti atë franceze e kosovare, dhe u tha se kinematografia kosovare shquhet për pjesëmarrjen e grave në filmbërje.

Kryeministri Kurti tha gjatë fjalës së tij se kinemaja franceze është shumë thellë në mendjen dhe shpirtin e tij.

Ai potencoi sukseset e filmbërësve kosovarë në skenat botërore, ndërsa përmendi edhe mbështetjen që po jep Qeveria për zhvillimin e filmit në Kosovë.

“Mos të harrojmë që bashkëpunimi (në kinematografi) Kosovë -Francë ka sjellë këto rezultate kohëve të fundit dhe që po shënohen me shpërblime. Kinemaja franceze është shumë thellë në mendjen dhe shpirtin tim”- ka thënë ndër të tjera kryeministri Kurti.

Ndërsa, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, tha se ndihet i lumtur që festivali i filmit frankofon është bërë pjesë e kalendarit kulturor në Kosovë.

“Tema e sivjetme e festivalit është ‘Portrete grash’ me të cilën jemi pajtuar të gjithë pasi kjo temë hyn edhe te diplomacia feministe që Franca e ka shumë për zemër”- ka thënë ai.

Këtë vit, ky festival  do të mbahet në Kino Armata në Prishtinë dhe në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë, që këtë vit është zgjedhur kryeqyteti kosovar i Frankofonisë.

Edicioni i 23-të i FFF në Kosovë u hap me filmin “Bota jonë’ të Luana Bajramit.

Gjatë një jave sa do të zgjasë festivali do të ketë shfaqje filmash e do të mbahen aktivitete që do të shpalosin histori të ndryshme grash.

Programi i festivalit: