Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në listën e MKRS-së për mbështetje të projekteve të OJQ-ve, i njëjti projekt rezulton i përkrahur financiarisht dy herë

Paqartësi ka ngjallur Lista përfundimtare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje të projekteve kulturore të OJQ-ve, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë.

listën e projekteve përfituese që ka shpallur MKRS, (datë; 18.11.2021) për mbështetje financiare projektet e OJQ-ve nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, figuron i njëjti projekt nga e njëjta organizatë të jetë mbështetur dy herë.

Sipas kësaj liste, projekti: Festivali Ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava” i Qendrës Kulturore Artistike “Anamorava” nga Vitia, është mbështetur dy herë.

Së pari, në numrin rendor 99, të listës figuron se projekt: Festivali Ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava” i Qendrës Kulturore Artistike “Anamorava”, është mbështetur me 4 mijë euro.

Ndërsa, në numrin rendor 165 në të njëjtën listë, figuron përsëri Festivali Ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava” i Qendrës Kulturore Artistike “Anamorava”, kësaj radhe i mbështetur me 10 mijë euro.

 

I vetmi ndryshim në këtë rast është tek fjala edicioni, në numrin rendor 99 në listë është shkruan drejtë, ndërsa më numrin rendor 165 fjala është shkruar “Edisioni”.

Arianit Hetemi, drejtor i Qendrës Kulturore Artistike “Anamorava” ka thënë për KALLXO.com se në fillim, në listën preliminare, organizata që ai drejtor ishte mbështetur me 4 mijë euro. Por, ka thënë më tej ai, pas ankesës i janë shtuar edhe 10 mijë euro.

“Në listë preliminare fillimisht jemi mbështetur më 4 mijë euro! Mirëpo duke e parë se kjo shumë është minimale edhe nuk mundet as të niset një ngjarje e tillë, siç është paraparë festivali në projektin tonë, ne kemi bërë ankesë në MKRS, drejtuar Komisionit për Ankesa, dhe pas shqyrtimit të ankesës, jemi mbështetur me plus dhjetëmijë euro, që do të thotë 14,000 euro gjithsejtë. Pse ka mbetur shuma e ndarë në listë në dy pjesë, nuk e dimë! Munde të jetë ndoshta gabim teknik gjatë radhitjes në listë ku figuron dy here!”, ka thënë Arianit Hetemi.

Por, Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com Ministria do ta përkrahë me vetëm 10 mijë euro projektin: Festivali Ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava”, edicioni i Parë 2022, të Qendrës Kulturore Artistike “Anomarava”.

Ajo ka thënë se nuk është e lejuar mbështetje e dy hershme e të njëjtit projekt, por e ka quajtur gabim teknik, listimin dy herë të projekti të lartë cekur në Listën e mbështetjes së projekteve të MKRS-së.

“Në listën e rezultateve përfundimtare është bërë një gabim teknik, kur i njëjti projekt- Festivali Ndërkombëtar ‘Folk Fest Anamorava’ i Qendrës Kulturore Artistike ‘Anomarava’, figuron se është mbështetur dy herë. OJQ në fjalë ka bërë ankesë për shumën dhe shuma e përkrahjes është rritur nga ana e Komisionit të Ankesave, andaj kjo OJQ përfiton vetëm shumën më të lartë që figuron te lista e rezultateve përfundimtare dhe jo të dyja shumat, meqë është gabim teknik. Pra, OJQ do të përfitojë vetëm shumën prej 10,000 eurove të aprovuara nga Komisioni i Ankesave”, ka thënë Fetiu.

MKRS ka ndarë gjithsejtë 2,042,855 euro nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për mbështetje të projekteve të kulturore dhe të trashëgimisë për organizatat jo qeveritare (OJQ) dhe për individë.

Në thirrjen e MKRS (13.08.2021) për mbështetje nga pakoja e ringjalljes ekonomike (kulturë dhe trashëgimisë), kanë konkurruar: 454 projekte të individëve, ndërsa janë mbështetur 230 projekte në vlerë prej, 834, 855 euro. Kurse nga OJQ-të, kanë konkurruar 301 projekte, por janë mbështetur vetëm 181 projekte në vlerë prej 1,208,000 euro.