Burim Myftiu gjatë Festivalit ‘Fotoist’ 2023. Foto: BM.

Festivali ‘Fotoist’, Myftiu flet për organizmin e festivalit më të madh të fotografisë në rajon

Një festival i veçantë dhe i pa parë ndonjëherë në vend, por edhe në rajon u mbajt muajin që shkoi në Kosovë. Për 4 ditë me radhë nga 25 deri më 29 gusht 2023, në hapësira të ndryshme në Prishtinë u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Fotogrfisë, “Fotoist”. Në kuadër të këtij festivali u hapën 7 ekspozita me artistë ndërkombëtarë e vendor.

Themeluesi dhe drejtori artistik i Festivalit “Fotoist”, Burim Myftiu tregoi se ideja “Fotoist 1’, Festival Ndërkombëtar i Fotografisë, erdhi nga një grup vullnetarësh, entuziastë të fotografisë, me qëllim të promovimit të fotografisë, artit dhe kulturës në Kosovë.

Ai thotë se qëllimi i këtij festivali është të jetë një aktivitet qendror dhe të mbledh edhe krijues të fotografisë nga vendet tjera europiane. Myftiu ka thënë se “Fotoist 1” u realizua në Partnership me “VII Foundation”.

“Ky event ndërkombëtar ka për qëllim po ashtu promovimin e trashëgimisë kulturore, diversitetit etnik, nxitjen e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën kulturore duke synuar gjithëpërfshirjen etnike, konfesionale dhe në veçanti të gjinive të ndryshme, personave me aftësi të kufizuara, komuniteteve pakicë”, ka thënë Myftiu për KALLXO.com.

Burim Myftiu. Foto: BM.

Myftiu ka thënë se në kuadër të festivalit është hapur ekspozita me serinë e fotografive “Rrethimi i Sarajevës” e fotografit britanik, Paul Lowe, përmes së cilës shpalosen pasojat e luftës në Bosnjë. Ekspozita ishte hapur në Sheshin Zahir Pajaziti. Ekspozita “Imagine: Reflektime mbi paqen”, “Her Take: (Re)Thinking Masculinity” të hapura në Qendrën “Barabar”, ekspozita: “The Hollow of the Hand” nga Seamus Murphy & P.J. Harvey  dhe “Yves Saint Laurent” nga Pierre & Alexandra Boulat të hapura në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Myftiu ka thënë se përveç ekspozitave gjatë ‘Fotoist” u mbajtën edhe punëtori për fotografinë, masterklasa dhe promovim librash.

“Me sloganin ‘AI: Let The Game Begin – Le të fillojë loja’ mes njeriut dhe Intelegjencës artificiale është mbajtur një panel në Kino Armata. Gjithashtu në kuadër të ‘Fotoist’ është mbajtur edhe një fotosesion me fëmijë me aftësi të kufizuara në Galerinë ‘Qahili’”- ka thënë ai.

Fotografi Myftiu ka thënë se Festivali “Fotoist” do të vazhdojë të mbahet çdo vit dhe ka për qëllim të bëhet ngjarja më e madhe fotografike në Europë, me më shumë aktivitete.

Festivali ‘Fotoist’ 2023. Foto:BM.

 

Festivali ‘Fotoist’ 2023. Foto:BM.

 

Festivali ‘Fotoist’ 2023. Foto: KALLXO.com.

 

Festivali ‘Fotoist’ 2023. Foto: KALLXO.com.