Ballina e librit ‘Kastrioti i madh i Shqipërisë i mbiquajtur Skënderbeu’. Foto: KALLXO.com

Botohet në shqip libri i Stephan Zannovichit për Skënderbeun

Shtëpia Botuese “Magjia e librit” ka botuar në gjuhën shqipe librin, “Kastrioti i madh i Shqipërisë i mbiquajtur Skënderbeu” nga Stephan Zannovichit.

Kjo vepër e përkthyer mjeshtërisht nga Qerim Raqi, është botuar në disa gjuhë evropiane, fillimisht në gjuhën frënge me titullin “Le grand Castriotto d’Albanie” më 1779, e më pas libri botohet në shumë gjuhë tjera, si gjermanisht, italisht, rusisht, etj.

Botimi i saj nga Zannovichi, pati një jehonë të madhe në kohën kur u botua, por ajo ka një vlerë historiko-letrare edhe sot, pavarësisht vlerësimeve kontradiktore që i janë bërë asaj nga historiografia jonë.

Në veprën e Stephan Zannoviçit, sipas njoftimit të Shtëpisë Botuese “Magjia e librit”, ndër të tjerash flitet edhe për letërkëmbimet e Skënderbeut me Sulltan Mehmetin.

“Ajo që bien në sy është fakti se në njërën letër që Skënderbeu i dërgon sulltan Mehmetit më 1461 thuhet se letra është e shkruar në gjuhën arnaute, pra në gjuhën shqipe. Pasi jep transkiptimin e kësaj letre, autori Zannovich, në fusnotë, në f.54, shpjegon edhe njëherë se letra në gjuhën arnaute gjendet në Arkivin e familjes Czernivich Castriottiks në Mal të Zi, e ruajtur në Katedralen e Shën Veneranda në Cetinje”, thuhet në njoftimin e SHB “Magjia e librit”.

Ky fakt, thuhet më tej në njoftim, na shtyn të mendojmë për shkrimin e hershëm të gjuhës shqipe, pra e çon dëshminë e shkrimit të shqipes para dokumentit më të hershëm të shkruar në gjuhën tonë Formula e Pagëzimit e datës 8 nëntor 1462.

Ballina e librit ‘Kastrioti i madh i Shqipërisë i mbiquajtur Skënderbeu’. Foto: KALLXO.com