Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Portretet e Skënderbeut përgjatë shekujve, ekspozohen në Prishtinë

Galeria Kombëtare ka hapur një ekspozitë me portretet e heroit shqiptar, që variojnë nga viti 1455 deri në vitin 2022 – rezultat i librit të profesorit Luan Tashi të botuar katër vite më parë.

Në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës janë ekspozuar portrete të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut që datojnë në vitet 1450.

Nëpërmjet 65 veprave të artistëve europianë dhe shqiptarë të pikturuar në shekuj, rikrijohet dhe shpaloset jeta dhe vepra e Skënderbeut.

Artistët portretizuan figurën e tij duke përdorur materiale të ndryshme, nga letra te polimermeri. Kjo ekspozitë përbëhet gjithashtu nga dorëshkrime, harta, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje dhe pulla postare.

Në vitin 2018, Zyra e Kryeministrit të Kosovës botoi monografinë Portrete të Skënderbeut ndër shekuj të profesor Luan Tashit, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Tashi tha për Prishtina Insight se ekspozita, e cila është rezultat i librit të tij të botuar katër vite më parë, synon t’u rikthejë të rinjve ndjenjën patriotike – të cilën, sipas tij, kanë filluar ta humbasin si pasojë e globalizimit.

“Ekspozita është më shumë për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë librin sepse është i kushtueshëm… ky është thelbi i gjithë ekspozitës,” tha Tashi.

Naim Spahiu, ushtrues detyre i drejtorit të Galerisë Kombëtare, tha për Prishtina Insight se shumë vizitorë ishin të interesuar për ekspozitën.

Për të botuar librin e tij, i cili frymëzoi ekspozitën, Tashi tha se shumicën e portreteve i gjeti në vende me të cilat Skënderbeu kishte lidhje në atë kohë – në Vatikan, Firencë, Milano, Verona, Dubrovnik, Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Ballkanit. E disa i kishte gjetur në bibliotekat në Uashington dhe Nju Jork.

Libri Portretet e Skënderbeut ndër shekuj tani janë pjesë e bibliotekave kryesore të botës, në Jerusalem, Vjenë, Romë, Uashington e gjetkë.

Tashi planifikon ta transferojë ekspozitën fillimisht në Galerinë Kombëtare në Shkup dhe në Universitetin e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut, dhe më pas në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Galerinë Kombëtare në Tiranë dhe Shoqatën e Shqiptarëve në Zagreb, Kroaci.

Ndër portretet është portreti i parë i njohur i Skënderbeut, një bust i skalitur 13 vjet para vdekjes së tij nga skulptori shqiptar nga Durrësi, Andrea Aleksi, në vitin 1455. Ky bust është i gdhendur në gur. Koka e portretit të Skenderbeut është vendosur në kurorën jugore të katedrales ‘Shën Jakovi’ në Shibenik të Kroacisë.

Një portret imagjinar i Gjergj Kastriotit nga Rembrandt van Rijn dhe i gdhendur nga Jan Joris van der Vliet është gjithashtu i ekspozuar krahas portreteve të gdhendura në monedha dhe kartëmonedha; figura e portretizuar nga filmi Skënderbeu, një bashkëprodhim shqiptaro-rus; portrete nga librat e Marin Barletit, monumenti i krijuar nga skulptori shqiptar Bujar Vani në vitin 2022.

Skënderbeu është një nga figurat më ikonike në historinë e shqiptarëve. Ai kishte duke udhëhequr rezistencën e kombit ndaj Perandorisë Osmane për 25 vjet. Me iniciativën e tij, më 2 mars 1444, u themelua në Lezhë Lidhja e Princave Shqiptarë (Lidhja e Lezhës). Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë dhe u varros në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare në Prishtinë për një muaj.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN
Foto: Antigonë Isufi/BIRN
Foto: Antigonë Isufi/BIRN
Foto: Antigonë Isufi/BIRN
Foto: Antigonë Isufi/BIRN
Foto: Antigonë Isufi/BIRN

 

Foto: Antigonë Isufi/BIRN