Promovimi i botimeve të Institutit të Historisë. Foto: KALLXO.com.

Instituti i Historisë promovon botimet e dy viteve të fundit

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, ka promovuar sot botimet e tij të realizuara në vitet 2022-2023.

Teuta Shala-Peli, ushtruese e detyrës së drejtorit të IH-së “Ali Hadri”, tha se promovimi i botimeve të institutit, që bëhet për herë të parë, do të jetë tradicional.

Ajo ka thënë se veprimtaria botuese e Instituti të Historisë gjatë dy viteve të fundit ishte e fokusuar në botimin e monografive, përmbledhjeve me punime dhe kumtesa nga konferencat shkencore.

“Si rezultat i kësaj, përgjatë vitit 2022 dhe deri në prill të vitit 2023 kemi gjithsej 13 botime prej të cilave 6 janë monografi, 4 përmbledhje me dokumente, 1 përmbledhje me kumtesa, Katalogu i botimeve të institutit  si dhe revista Kosova”- tha ajo.

Gjatë këtij promovimi u prezantuan botimet: “Bota ilire në ekspeditën e Jul Cezarit” të Nermin Bashës; “Sanxhaku i Nishit gjatë periudhës osmane (shek. XIX) të Mead Osmanit; “Vatra dhe shqiptarët në Amerikë” të B. Metës, E. Dervishit e H. Bellos; “Rugova: kryengritja dhe masakrat më 1918-1919” (përmbledhje me kumtesa”; “The development of the albanian press in SFR Yugoslavia (1974-1991)” të Kosovar Bashës; ‘Studime dhe vështrime historike” të Bedri Muhadrit dhe “UÇK-Zona Operative e Llapit” nga Skënder Zhita.

Për këto botime folën studiues të ndryshëm.

Gjatë më shumë se 5 dekadave Instituti i Historisë ka nxjerrë mbi 160 tituj të botimeve, pa llogaritur revistat shkencore.

IH “Ali Hadri” është themeluar më 1967 në Prishtinë, në fillim si Ent i Historisë e më pas nga 26  marsi i 1980-të si Instituti i Historisë.

Promovimi i botimeve të Institutit të Historisë. Foto: KALLXO.com.
Promovimi i botimeve të Institutit të Historisë. Foto: KALLXO.com.