555-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, e përkujton presidenti shqiptar Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka vizituar të martën qytetin e Lezhës për të nderuar heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun në 555-vjetorin e vdekjes së tij.

Begaj ka theksuar se jeta e Skënderbeut kujton origjinalitetin e forcën e një populli autokton, pa orekse për territore që nuk i përkasin, por i palëkundshëm nga trojet e veta.

Varri i Skënderuat gjendet në qytetin e Lezhës në Shqipëri.

“Historia e kombit shqiptar është ajo e arritjeve, qëndresës, dhe e ringritjes përpos gjeopolitikës, përpos paragjykimeve, përpos dasive të kërkuara me insistim nga shtete shumë më të fuqishme. Jeta e Gjergj Kastriotit na kujton origjinalitetin e forcën e një populli autokton, pa orekse për territore që nuk i përkasin, por i palëkundshëm nga trojet e veta”- ka thënë Begaj.

Begaj tha se jeta Gjergj Kastriotit, tregon suksesin e besimit tek vdekja, pa i lakmuar askujt asgjë.

“Jeta e Gjergj Kastriotit tregon suksesin e besimit tek vetvetja, pa i lakmuar askujt asgjë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë”- shton ai.

Presidenti shqiptar ka thënë se Skënderbeu është hero kombëtar dhe ka shprehur mirënjohje për luftën, përpjekjet, sukseset dhe shembullin.

“Gjergj Kastrioti është Heroi ynë Kombëtar dhe ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, sukseset dhe shembullin. Por, Gjergj Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre, dhe dinë të arrinë suksese për vete e për shumë të tjerë. Këta shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë”- është shprehur ai.

Kanë kaluar 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Skënderbeu udhëhoqi për 25 vjet rezistencën e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Ishte djali i vogël i Gjon Kastrioti, princit të Principatës së Kastriotëve.

Pasi u mor peng nga osmanët, u edukua dhe shkollua në Pallatin e Sulltani, Skënderbeu u emërua në pozita në larta në ushtrinë osmane. Në nëntor të vitit 1443, ai së bashku me një grup kalorësish besnikë braktisi betejën e Nishin, u kthye në Krujë duke arritur ta marrë kështjellën.

Sipas Marin Barletit, Skënderbeu mori Krujën më 28 nëntor 1443 dhe në muret e kështjellës ngriti flamurin që edhe sot është flamuri zyrtar kombëtar i shqiptarëve dhe i shtetit shqiptar. Më 2 mars 1444 me inicimi e tij, në Lezhë u themelua Lidhja e princave shqiptarë (Lidhja e Lezhës).

Në krye me Skënderbeun forcat e Lidhjes brenda pak muajve arritën të çlironin një pjesë të mirë të territoreve shqiptare të pushtuara nga osmanët.

Ushtria e Lidhjes së Lezhës arriti t’i fitojë dhjetëra beteja kundër ushtrive osmane.

E kohës së Skënderbeut është edhe dëshmia e parë e shkrimit shqip, “Formula e pagëzimi” e vitit 1462.

Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. U varros në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, në vend ku edhe u mbajt Lidhja e Lezhës.