Sot hapet ekspozita me veshjet tradicionale të komuniteteve që jetojnë në Kosovë

Në Bibliotekën Kombëtare sot në ora 13:00 hapet ekspozita e veshjeve tradicionale shqiptare dhe kostumet tradicionale të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Kjo ekspozitë ka për qëllim prezantimin e kostumeve tradicionale kombëtare të pakicave që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu do të prezantohen edhe kostumet shqiptare tradicionale.

Organizatorja dhe ideatorja kryesore e kësaj ekspozite është artistja Albana Krasniqi, ndërsa prezantohen Gjyle Berisha, Serbeze Sylejmani dhe Kimete Shok, të cilat i kanë sjellë disa nga veshjet tradicionale të tyre.

Kuratori i ekspozitës është kritiku i artit, Ilir Muharremi, i cili në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ekspozita vë në peshore kostumet e të gjitha komuniteteve duke analizuar ngjashmëritë e tyre në materiale.

“Kjo ekspozitë është tejet e veçantë dhe i vë në peshore kostumet e të gjitha komuniteteve duke analizuar ngjashmëritë e tyre në materiale, ngjyra, detaje, sepse të gjithë jetojmë në Ballkan dhe Ballkani ka ngjashmëri si në arte, muzikë e edhe në veshje tradicionale”- ka thënë Muharremi.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.