Vjosa Berisha
Ambasada e Britanisë së Madhe lanson bursë studimore në emër të Vjosa Berishës
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar (Britania e Madhe) në Prishtinë ka bërë të ditur se ka themeluar një bursë studimi me emrin “Bursën memoriale Vjosa Berisha”, si pjesë të programit të bursave “Chevening”.
Përfitues të kësaj burse që i dedikohet producentes tashmë të ndjerë Vjosa Berishës, mund të jenë qytetarët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë për master në Britani në fushën e filmit, arteve, në menaxhim kulturor apo administratë; praktikë kreative ose komunikime/media.
Bursa i kushtohet Vjosa Berishës dhe fushat e studimit i përshtaten fushave ku ajo pati ndikim.
“Zgjedhja e lëndëve pasqyron gamën e fushave në të cilat Vjosa pati ndikim gjatë karrierës së saj, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë trashëgiminë e saj” – thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike në Prishtinë
Vjosa Berisha ishte përfituese e bursës në studimet master për media dhe komunikimit në Universitetin Westminster.
Aplikuesit në Kosovë do të mund të aplikojnë për bursën për vitin akademik 2023/2024, deri më 1 nëntor (2022).
Producentja dhe themeluesja e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest), Vjosa Berisha ka vdekur më 23 qershor 2022.