array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Lajmi i rremë rreth pronësisë së lokalit në Ulpianë

Deklarata

Ky është lokali i nënkryetarit të PDK’së që e mori prej njerzëve të Millosheviçit

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Përshkrimi i videos “ky është lokali i nënkryetarit të PDK’së që e mori prej njerzëve të Millosheviçit” është i rremë. Objekti ka qenë pronë nën menaxhimin e AKP-së, ndërsa në vitin 2014 është shitur përmes privatizimit. Matisse, në të cilin ka hise edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, këtë lokal e ka marrë me qera nga dy pronarët e lokalit: Ali Ajeti e Selatin Ahmeti. 

Artikulli

Më 21 gusht 2023 faqja e Facebook-ut “Kosova ime” ka publikuar një video me titull “Ky është lokali i nënkryetarit të PDK’së që e mori prej njerzëve të Millosheviçit”. 

Përveç përshkrimit, një person dëgjohet duke komentuar rreth objektit, i cili sot funksionon si kafiteri.

Personi i cili flet prapa kamerës, por që nuk identifikohet, pretendon se lokali në lagjen Ulpiana është i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, dhe se i njëjti është marrë nën menaxhim pas një marrëveshjeje mes Ismailit dhe Shpend Ahmetit, deri sa ky i fundit ishte kryetar i Komunës së Prishtinës.

“Në vitin 2018 nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, bën marrëveshje koalicioni me Shpend Ahmetin, atëherë e ndërton këtë lokal dhe e rikthen për konsumatorë. Si e ka marrë, si ka arritur ta marrë nën menaxhim nga njerëzit e Millosheviqit, ne nuk e dimë, këtë përgjigje duhet ta japë Uran Ismaili”– thotë personi në videon e shpërndarë nga portali “Kosova ime”.

Krypometri me datë 22/08/2023 ka kontaktuar me nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, për të verifikuar informacionet e shpërndara nga “Kosova ime” në Facebook. 

Ai ka thënë se pretendimet që thuhen ne videon e publikuar, nuk janë të vërteta.

“Kjo nuk është e vertetë, por të lutem për informata kontaktoni Fatos Mexhuanin, drejtorin e kompanisë”- ka thënë Ismajli në deklaratë.

Krypometër me datë 22/08/2023 ka kontaktuar edhe Fatos Mexhuanin, drejtor i kompanisë “Matisse” dhe ai ka thënë se pretendimet e publikuara, janë të rreme.

“Ne si brend Matisse kemi lidhur një kontratë më datën 20.07.2021 me pronarët e lokalit, Selatin Ahmeti dhe Ali Ajeti të cilët janë edhe avokatë sipas profesionit. Kjo kontratë është e vlefshme deri më datën 30.07.2026”– tha ai. 

Mexhuani e ka ofruar edhe kontratën e datës 20/07/2021 të lidhur në mes tij dhe Selatin Ahmeti, i cili në kontratë është qeradhënës.

Ndërkaq, Selatin Ahmeti, njëri nga pronarët e lokalit që tani është kafiteri në lagjen Ulpiana, tha se lokalin në fjalë e ka blerë në vitin 2014-2015 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ndërsa, rreth vitit 2017 e ka lëshuar me qera.

“Nuk është e vërtetë, unë e kam ble atë lokal diku në vitin 2014, prej AKP-së. Madje, për disa vite ka qenë i uzurpuar, s’kam mujtë as me e shfrytëzu. Diku në vitin 2018 e kam lëshu me qera. Nuk e di kush mund të jetë ai që e ka thënë atë, por mund ta verifikoni edhe ju, që unë jam pronari faktik dhe e kam blerë nga AKP”– tha Ahmeti.

Tutje, Ahmeti tha se blerja e lokalit nuk ka lidhje me Millosheviqin.

“Jo bre ska lidhje kjo, ne e kemi ble prej AKP-së, ska lidhje me Millosheviqin. Kjo ka shku përmes procedurave të AKP-së, e dijnë edhe Drejtoria e Urbanizmit… Me sa e di lokali ka qenë në pronësi të industrisë së mishit të Fushë Kosovës, s’ka lidhje me Millesheviqin. Unë para luftës kam punu gjyqtar, s’ka kjo lidhje me Millosheviqin. Deri në vitin 1990 kam punuar gjyqtar, pastaj avokat, nuk kam punuar prokuror asnjëherë”- ka thënë Selatin Ahmeti.

Krypometri e ka kontrolluar në raportet e shitjes së pronave të ndërmarrjeve shoqërore dhe ka gjetur se më datë 30 korrik 2014 Selatin Ahmeti kishte blerë lokalin 83 metra katrorë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Edhe bashkëpronari tjetër i lokalit, Ali Ajeti ka thënë se videoja e shpërndarë nuk është e vërtetë dhe konfirmoi se lokali është blerë nga AKP përmes procedurave ligjore.

“Unë e pash sot në Facebook që ka qarkulluar një video, por ajo është një dezinformatë se nuk ka të bëjë asgjë me ato çfarë janë thënë. Ne e kemi blerë nga AKP përmes privatizimit. Kjo është lehtë e verifikueshme, i kemi edhe dokumentet”- ka thënë Ajeti për Krypometër.  

Tutje, Ajeti ka mohuar të ketë punuar ndonjëherë si prokuror.

“Jo, asnjëherë nuk kam punuar prokuror, unë jam 45-vjeçar as nuk kam lidhje me atë punë. Ato çfarë thotë ai person, nuk kanë lidhje dhe janë të pavërteta”- ka thënë Ahmeti në deklaratën e datës 23/08/2023.