Gazmend Muhaxheri, LDK, Pejë. Foto: Atdhe Mulla

Kryetari dhe Asamblistët e Pejës Betohen më 13 Dhjetor

Të mërkurën e javës se ardhshme do mbahet mbledhja e parë inauguruese e Kuvendit Komunal të Pejës, ku pritet të bëhet betimi i Kryetarit të Komunës dhe asamblistëve të zgjedhur për mandatin katërvjeçar, bën të ditur zyra për informim në këtë komunë.

Sipas agjendës të dërguar për media nga zyra e informimit të Komunës së Pejës, përveç betimit nga kryetarit dhe asamblistëve, këta të fundit do marrin detyrën si anëtarë të Kuvendit Komunal të Pejës.

Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u rizgjodh sërish kryetar i komunës në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit, pa balotazh, duke fituar mbi 50% të votave të qytetarëve të Pejës.

Po ashtu, LDK-ja e Gazmend Muhaxherit, fitoi me së shumti ulëse të këshilltarëve komunalë për 4 vjetët e ardhshëm në Asamblenë e Pejës.

Nga gjithsej 35 vende në asamblenë komunale për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 15 sosh, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 10, Partia Demokratike e Kosovës 5, Lëvizja Vetëvendosje 3, Alternativa 1 dhe Nisma për Kosovën 1 vend.

Kjo është agjenda e takimit të parë inaugurues që do mbahet më 13 dhjetor në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës.