Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë. Foto: Lëvizja FOL
Krijimi i Ushtrisë Vetëm Përmes Ligjit ‘Dëmton Marrëdhëniet Kosovë- NATO’
“Shqetësimi është që krijimi i ushtrisë vetëm përmes ligjit do të dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n”, tha Greg Delawie në një diskutim të hapur të organizuar nga Lëvizja “FOL”.
Ai tha se qeveria amerikane ka qenë e qartë dhe do të vazhdojë të jetë e qartë për këtë çështje.
Sipas ambasadorit amerikan, qeveria e Kosovës duhet t’i koordinojë hapat për transformimin e FSK-së me ShBA-në dhe NATO-n.
Gjatë këtij diskutimi Greg Delawie foli edhe për korrupsionin për të cilin tha se ai kërcënon çdo gjë.
“Korrupsioni kërcënon çdo gjë, gërryen besimin e qytetarëve dhe ngulfat zhvillimin ekonomik. Kur korrupsioni kontrollon punësimin, Kosova rrezikon të humbë njerëzit më të mençur dhe Kosova nuk guxon ta lejoj këtë”, shtoi Delawie.
Kurse kthimin e deputetëve të Listës Serbe në kuvend, ambasadori amerikan e sheh si zhvillim pozitiv.
“Është pozitive që deputetët e Listës Serbe janë kthyer në kuvend, ata mund ta kryejnë punën e tyre vetëm nëse janë në vendin e tyre të punës”, tha diplomati amerikan.
Ai tha se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi duhet të kalojë jo vetëm që Kosova të shtrijë sovranitetin e vet por me rëndësi është që t’i mbajë marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi.
“Paaftësia për ta finalizuar këtë marrëveshje është një burim i panevojshëm i tensioneve”, nënvizoi Delawie.
Sa i përket kërkesës së presidentit Thaçi për mospërfshirjen e njerëzve të akuzuar apo të dënuar në listat zgjedhore në zgjedhjet lokale, ambasadori Delawie tha se do të ishte e shkëlqyeshme nëse partitë politike do të refuzonin që në listat e tyre zgjedhore të mos i përfshinin njerëzit e akuzuar apo ata që janë të dënuar e që nuk e kanë kryer ende denimin e tyre.