Rama vazhdon projektin për trajtim të qenve endacakë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata për vazhdim të trajtimit të qenve endacakë.

Sipas tij, kjo kontratë përfshinë zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin.

“Qysh në ditët e para jemi marrë me trajtimin e problemit të qenve endacakë. Sot e nënshkrova kontratën që siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, e që përfshin zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin”, ka thënë Rama.

Nga 5 pika ushqyese që gjendjen në qytet, Rama tha se do bëhen 20, duke potencuar se do vazhdojnë të punojnë për zgjidhjen afatgjatë të problemit me qenë endacakë.

“Momentalisht, ekzistojnë 5 pika ushqyese, të cilat së shpejti do të shtohen deri në 20. Jemi të vetëdijshëm për nevojën e zgjidhjes afatgjate të problemit, dhe po vazhdojmë të punojmë drejt saj”, shtoi tutje Rama.

Projekti për pikat ushqyese dhe trajtimin e qenve endacak ka nisur në vitin 2020 nga qeverisja e Shpend Ahmetit, derisa sot është nënshkruar kontratë për vazhdim të tij.