Kryetari Rama reagon pas lirimit të Elza Ujkanit nga Spitali: Jemi të përkushtuar për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar dy ditë pasi u lirua nga spitali Elza Ujkani, 23-vjeçarja pësoi lëndime nga kulmi që ra nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.

Ndërlidhur me rastin e saj, Rama i ka siguruar qytetarët se po e marrin këtë çështje “shumë seriozisht”.

Sipas tij, janë të përkushtuar të identifikojnë dhe të adresojnë çdo rrezik potencial, për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme.

“Do t’ju mbajmë të informuar mbi ecurinë e inspektimeve dhe çdo veprim të ndërmarrë për të siguruar integritetin strukturor të të gjitha ndërtesave të qytetit tonë e veçanërisht atyre që janë në pronësim të Kryeqytetit” – ka shkruar kryetari Rama më 27.03.2024.

Më 18.01.2024 një 23-vjeçare, Elza Ujkani, pësoi lëndime për shkak se i ranë pjesë të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.

Ujkani përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur më 25.03.2024 se është liruar nga spitali pas më shumë se dy muaj trajtimi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Elza Ujkani lirohet nga spitali, rrëfen momentin kur i ranë pjesë të kulmit të objektit të Komunës në kokë

Çka ndodhi me kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës?