Prishtinë, hapet konkursi për krijimin e Sheshit Monumental për Adem Jasharin dhe Familjen Jashari

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë hapur konkursin për krijimin e Sheshit Monumental të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Sipas Ramës, ky shesh do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së tyre të madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit.

“Kemi hapur konkursin për krijimin e Sheshit Monumental të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, që do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së heroit të kombit dhe Familjes Jashari, si një prej themeleve më të rëndësishme të lirisë së vendit” – ka shkruar kryetari Rama më 14.03.2024.

Sipas thirrjes, konkursi është i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, dizajnerët, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët.

Në thirrje thuhet se fituesi duhet të bëjë identifikimin dhe propozimin e një vend-shesh të spikatur brenda qytetit të Prishtinës, aty ku do të vendoset monumenti.

“Të merret parasysh afërsia me monumentet historike, hapësirat publike ose zonat e rëndësishme për lëvizjen çlirimtare”- thuhet mes tjerash në thirrje.

Te detajet e konkursit thuhet se monumenti së bashku me sheshin duhet të jetë një tërësi e arkitekturës peisazhore.

“Dizajni i monumentit duhet të ngjallë emocione dhe dinjitet duke përcjellë frymën e sakrificës me elementë të tillë si: Uniteti: Reflektoni sakrificën kolektive të Familjes Jashari dhe popullit. Rezistenca: Kapeni qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e shfaqur gjatë kohërave sfiduese. Liria: Simbolizoni qëllimin përfundimtar të çlirimit”- është thënë në konkurs.

Detajet e plota të konkursit mund t’i gjeni duke klikuar në këtë LINK.

Ndërtimi i shtatores së Adem Jashari ka vite që është diskutuar dhe premtuar nga kryeqytetasit. Pa përmendore të tij, që nga viti 2018, te momumenti i periudhës komuniste” Vëllazërim-Bashkimi”, është emëruar Sheshi “Adem Jashari”. Askohe, kryetar i Prishtinës ka qenë Shpend Ahmeti.

Projekti i rregullimit të sheshit që ndodhet mes ndërtesës së Kuvendit dhe asaj të komunës kishte kushtuar 311 mijë euro.