Përparim Rama anulon seancën e jashtëzakonshme, opozita e quan ‘instalim diktature’

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama përmes një njoftimi të përcjell në Kuvendin Komunal ka urdhëruar anulimin e seancës se jashtëzakonshme ku pritej të miratoheshin disa rregullore si ajo për parkingje, menaxhim të mbeturinave, dhënia në shfrytëzim e pronave të komunës e tatimi në pronë për vitin 2024.

Fillimisht mbledhja që pritej të niste në orën 10:00 u shty për një orë pasi takimi në Komitetin për Politikë dhe Financa zgjati më shumë se zakonisht, ku po diskutohej rendi i ditës.

Mbi një orë më vonë, kryesuesi i Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci njoftoi se ka marr kërkesë nga kryetari për anulim të seancës pasi ka shumë kërkesa sa i përket këtyre rregulloreve.

“Kërkoj falje për vonesën për arsye se në komitetin për politikë dhe financa ka qenë një debat më i gjatë me shumë kërkesa dhe rregullore që kërkojnë rishqyrtim. Andaj, sapo mora një kërkesë për anulim të seancës nga kryetari Përparim Rama”- u shpreh Bajcinvci.

“Sapo u informova se në mbledhjen e sotme të komitetit për politikë dhe financa ka pasur disa sugjerime substanciale nga asamblistë të opozitës, lidhur me përmbajtjen e disa draft rregulloreve. Si kryetar i Kryeqytetit ju kërkoj që e njëjta të anulohet dhe të gjitha pikat e agjendës të futen të mbledhjen e radhës të rregullt të Kuvendit dhe të merren parasysh sugjerimet në mbledhjen e komitetit”- thuhej në kërkesën e kryetarit Rama e cila u lexua nga kryesuesi.

Pas këtij komunikim, disa asamblistë nga opozita kërkuan sqarim se përse u anulua seanca në këtë mënyrë, derisa kryesuesi dhe drejtorët vetëm lëshuan sallën.

Gëzim Sveçla, shef i grupit parlamentar të LVV-së e quajti këtë ndërprerje, ndërhyrje në organin më të lartë të komunës nga ana e kryetarit.

“Në çka po bazoheni që e anuloni seancën. Kjo qeverisje i ka vënë qytetarët në presion psikologjik me këto rregullore skandaloze që kanë pasur të diskutohen sot, përfshirë atë për Prishtina Parkingun. Ky është koalicion i interesave”- tha Sveçla pas përfundimit të seancë.

Derisa, Gëzim Mehmeti nga AKR e quajti instalim diktature këtë qasje të kryetarit.

“Mbledhja është thirrur për në orën 10 më pas është shtyrë, ka ndërhyrje nga kryetari në organin më të lartë. Mënyra si është anuluar seanca është qasje diktatoriale që kryetari po mundohet ta instalojë në Kuvendin Komunal. Ne do e ngrisim zërin për këtë proces, kjo është ditë e keqe për demokracinë, pasi nuk ka ndodhur që kështu të anulohet seanca”- u shpreh Mehmeti.

Sipas tij, pozita nuk i kanë pasur numrat për këto rregullore, andaj edhe u anulua seanca.