Parkingu Nentokesor

Parkingu Nëntokësor në kryeqytet me çmime të reja

Një vit pas hapjes zyrtare të Parkingut Nëntokësor në Qendër të kryeqytetit për të cilin u bë bujë në media si shkak i çmimeve që për shumë qytetarë konsideroheshin të larta për standardin e Kosovës, Parking Center Prishtina ka nisur aplikimin e ofertave me tre pako të ndryshme si dhe pako e katërt që pritet në nis në dhjetor.

Korab Fazliu, drejtor i Parking Center Prishtina për Kallxo.com bëri të ditur se nuk ka ndryshim në tarifat fikse, por vetëm pako ofertuese.

Ai theksoi se pakot janë përpiluar në bazë të kërkesave të qytetarëve.

“Gjithmonë e kam potencuar që në ndëkohë do të kemi oferta në bazë të ofertave të klientëve dhe miratimin nga ana e Komunës së Prishtinës. Qe një vit që e kemi hap parkingun gjatë gjithë kohës janë mbajtur evidencat për kërkesat e qytetarëve, këto jemi munduar t`i përmbyllim në disa pako të reja”- tha Fazliu.

Fazliu shtoi se Pako e ditës vlen prej 07:00 deri në 19:00, pra 12 orë qëndrim gjatë tërë muajit me 60 euro në muaj.

“Këtë pako e kemi bërë pasi kemi pas shumë kërkesa nga qytetarë që punojnë në perimetrin e parkingut, sidomos Kampusi Univeristar – këto drejtimet e master që ishin pasdite”- shtoi Fazliu.

Pakoja e natës vlen prej orës 17:00 deri në 08:00 në mëngjes, me çmim 40 euro në muaj dhe Pako e tretë është ajo 24 orëshe me çmim 100 euro në muaj.

“Në rast se makina lihet jashtë orarit të pakos, faturohet me çmime fikse të parkingut”- shtoi Fazliu.

Ai bëri të ditur se e kanë të limituar këtë numër të pakove pasi nuk munden që gjithë hapësirën ta lëshojnë me qira.

“Nuk kemi me kohë të caktuar ofertën, por me numër të limituar të pakove, sepse nuk mundemi gjithë hapësirën ta lëshomë me qira, për momentin i kemi 500 pako, në rast se shpenzohen të gjitha, neve na duhet të bëjmë prapë kërkesë në komunën e Prishtinës për rritjen e numrit të pakove. Parkingu ka 600 vende, në mënyrë që gjysma e pakove të jenë për ditën- 250 dhe gjysma për natën, duhet që përqindja tjetër e parkingut të jetë e lirë për klientët që nuk janë me pako”- shtoi më tej Fazliu.

Derisa, nga muaji dhjetor pritet të nis edhe aplikimi i Pakos së fundjavës ku dy orë qëndrim do paguhen 1 euro, derisa 50 cent qëndrimi në orë që i bie 50% zbritje nga tarifa standarde.

Korab Fazliu tha se në muajin dhjetor të vitit të kaluar kur edhe ishte Tregu i Fundvitit, parkingu ka pas mbi 48 mijë lëvizje.

“Në kohën e festave dhe sidomos kur ka qenë tregu i fundvitit, parkingu ka qenë i mbushur në limit, në dhjetor i kemi pas mbi 48 mijë lëvizje në parking”- tha Fazliu.

Ai shtoi se bllokimi i njërës hyrje me mbylljen e rrugës, tashmë sheshit ‘Xhorxh Bush’ i ka dëmtuar financiarisht dhe se kanë kërkuar nga komuna që të lejohet qarkullimi gjatë tregut të fundvitit.

“Bllokimi i njërës hyrje na ka dëmtuar shumë edhe nga ana financiare, nuk po arrijmë të përmbushim qëllimin e parkingut. Kam kërkuar nga kmouna që kjo hyrje të hapet gjatë tregut ‘Verë në Dimër’, pasi po ngarkohet rruga tek menza, sepse e kanë vetëm një hyrje, po presim përgjigjie nga komuna”- shtoi më tej Fazliu.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama të mërkurën e kaluar në emisionin Rubikon u shpreh se për këtë hyrje që ka mbetur e bllokuar është projekti që e lidh parkingun me Katedralen ‘Nënë Tereza’ pasi edhe i bie në atë drejtim.

“E kemi projektin e nënkalimit te Katedralja që lidhet me Parkingun nëntokësor, gjatë ndërtimit është lënë mundësia e asaj qasje”- deklaroi Rama.

Tarifa e çmimeve standarde në parking varion nga 15 dita në 2,500 euro abonimi vjetor.

Qëndrimi deri në 15 minuta në këtë parking është pa pagesë, një orë kushton një euro, kurse për 12 orë, çmimi është 10 euro e 40 centë. Derisa, 15 euro kushton parkimi për 24 orë.

Abonimi javor në këtë parking është 90 euro, kurse abonimi mujor 250 euro.

Për periudhën 6-mujore, pagesa shkon deri në 1,350 euro, kurse abonimi për një vit 2,500 euro.

Projekti i Parkingut Nëntokësor është në partneritet publiko-privat në të cilin është bërë investim mbi 1o milionë euro.