Prishtina Parking

'Prishtina Parking' me rreth 3 milionë euro të hyra nga fillimi i vitit

Ndërmarrja Lokale e Komunës së Prishtinës ‘Prishtina Parking’ që ka në menaxhim parkingjet në qytet, ato rezidenciale, me laura, në hapësira publike – nga janari i këtij viti ka mbledhur të hyra prej 2.9 milionë euro.

Ky deklarim u bë nga Sami Salihu, aksionar i LDK-së në këtë ndërmarrje, në seancën e dhjetë të Kuvendit Komunal.

“Të hyrat e përgjithshme të ndërmarrjes nga muaji janar deri tani janë 2.9 milionë euro, shpenzimet janë 2.2 milionë për shkak se ka pasur edhe investime kapitale, borgjet ndaj ndërmarrjes janë rreth 200 mijë euro, ndërsa ndërmarrja nuk i ka borgj askujt”- u shpreh Salihu.

Ishte asamblistja e LVV-së, Triera Kasumi e cila kërkoi të dijë se në cilën linjë buxhetore shkojnë pagesat e qytetarëve për këtë ndërmarrje.

“Dividentat e ndërmarrjes në cilën linjë buxhetore shkojnë, pagesat tona si fitim në ndërmarrje ku investohen”- u shpreh Kasumi.

Derisa, Sami Salihu tha se ndërmarrja nuk e ka marr ende veten sa për të dorezuar dividentë në Komunë.

“Ka ndërmarrje që operojnë kohë të gjatë dhe nuk japin dividentë e po kërkon prej neve që jemi themelu që 4 vite”- shtoi Salihu.

Ndërmarrja ‘Prishtina Parking’ është ndërmarrja më e re e krijuar nga Komuna e Prishtinës që është edhe aksionare e saj. Derisa, për aktivitetin e kësaj ndërmarrje ka pasur shumë ankesa e pakënaqësi nga ana e qytetarëve për çmim të lartë e mënyrën si janë shqiptuar gjoba, sidomos në bllokada që u viheshin makinave të parkuara pa kryer pagesë apo parkim në zonë gjelbëruese.

Kuvendi Komunal më 21 dhjetor ka miratuar rregulloren për parkingjet në kryeqytet ku parashihet që në zonat rezidenciale, banorët nuk paguajnë për parkim të makinës së parë, përpos një tarife 10 euro në vit, derisa për makinën e dytë është caktuar tarifë 10 euro në muaj apo 100 euro në vit.

Këtu gjeni nenet e miraturara për rregulloren e parkingjeve.