Komuna e Prishtinës miraton rregulloren për orarin e punës dhe kujdestarinë e barnatoreve

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar rregulloren për orarin e punës/kujdestarinë e barnatoreve si dhe kujdestarinë e fundjavës dhe gjatë ditëve të festave.

Drejtori i Shëndetësisë Izet Sadiku tha se kjo rregullore, përpos për qytetarët, ka interes edhe për vetë punëtorët e këtij sektori që janë shumë të ngarkuar për shkak se nuk ka pas orar të kujdestarisë.

“Pas një hulumtimi që kemi bërë, asnjë barnatore nuk ka kujdestaruar pas orës 2 ose 3 pas mesnate dhe nuk është ditur se cila barnatore deri në sa punon. Me këtë rregullore orari do vihet në vijë” – tha ai.

Sipas Sadikut, grupi punues ka propozuar që orari të jetë 07:00-21:00 dhe nga ora 21:00 deri në mëngjes të jetë kujdestaria.

“Gjatë ditëve të javës nga ora 21:00 deri në 07:00 do jenë 5 barnatore kujdestare, kurse në vikend do jenë 10, kështu kanë vendosur kompanitë farmaceutike.”

Sadiku tha se Prishtina që ka Qendrën Klinike Universitare, nuk e ka pasur asnjë barnatore me kujdestari pas mesnatës.

“Paramendoni, Prishtina që e ka QKUK-në e 15 qendra të mjekësisë familjare, nuk ka pasur barnatore kujdestare. Prishtina i ka mbi 180 barnatore të regjistruara dhe të gjitha do kenë mundësinë të hyjnë në kujdestari”- tha ai.

Kurse, në rast se nuk respektohet rregullorja gjoba parashihet të jetë 300-1,000 euro për person fizik dhe 1,000 deri 3,000 euro për person juridik.

Sadiku potencoi se kujdestaria do nis nga muaji tetor, në ndërkohë do publikohet edhe orari dhe cilat barnatore janë kujdestare.