Foto: Kallxo.com

Vazhdon greva e punëtorëve të higjienës në Spitalin e Gjakovës

Edhe sot punëtorët e higjienës në Spitalin Regjional “Isa Grezda” në Gjakovë, po vazhdojnë protestën e tyre, duke kërkuar t’u paguhen pagat shtesë në bazë të Ligjit COVID-19.

Punëtorët pretendojnë se edhe jeta e tyre është në rrezik sikurse edhe të tjerëve.

Ata kanë treguar se shtesat i kanë marrë vetëm për muajin mars dhe prill, ndërsa që nga muaji qershor nuk janë paguar.

Gjatë ditës së djeshme kishin protestuar edhe punëtorë teknik të qendrave të mjekësisë familjare në Kosovë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave dhe ende është në pritje të përgjigjes së tyre.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), kanë arritur marrëveshje  në fund të muajit tetor për pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës, në sistemin primar, sekondar dhe terciar, deri në fund të vitit 2020, bazuar në Ligjin COVID-19.

Sipas kësaj marrëveshjeje, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, infermierët 150 euro, stafi mbështetës  100 euro në muaj.

Këto pagesa do të jenë prej muajit shtator e deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhej që kryeministri Hoti është zotuar se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryejë edhe pagesat shtesë për stafin mbështetës, për muajt korrik dhe gusht të këtij viti.