Foto: KALLXO.com

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës hynë në grevë, kërkojnë shtesat

Punëtorët e higjienës të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë po protestojnë, duke kërkuar t’u paguhen pagat shtesë në bazë të Ligjit COVID-19.

Sakibe Hoti, punëtore e Spitalit, thotë se greva e tyre do të vazhdojë çdo ditë.

“Do të rrimë derisa të kthehet përgjigje në kërkesën tonë, për paret e pandemisë. Ne kemi bo kërkesë për shtesat për 6 muaj që nuk na kanë dhënë, neve na kanë hek prej listës së këtyre pagesave, për të cilat prej korrikut nuk jemi paguar”, deklaroi Sakibe Hoti.

Hoti ka shtuar se shtesat i kanë marrë vetëm për muajin mars dhe prill ndërsa nga muaji qershor nuk janë paguar.

Edhe Sebahate Quni kërkoi pagesën e saj për kontributin e dhënë.

“Kjo është marri e shtetit, ne jemi te infeksioni, jemi njëjtë të rrezikuar sikurse edhe të tjerët”, tha Quni.

“Takimi u zhvillua, ne do shqyrtojmë çdo mundësi që na jepet për të shqyrtuar kërkesën e tyre. Vendimi nuk mund të themi që është përfundimtar pasi duhet të kalojë në hapa pasues për të arritur deri tek rezultati”, tha sot ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në konferencë pasi takoi drejtorin e Sindikatës e Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Sot gjatë ditës kanë protestuar edhe punëtorë të tjerë teknikë të qendrave të mjekësive familjare në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar të premten për paralajmërimin e punëtorëve të higjienës të Spitalit të Gjakovës.

KALLXO.com ka kontaktuar të premten edhe operatorin ekonomik i cili është kontraktuar të ofrojë këtë shërbim për spitalin dhe të njëjtit kanë thënë se i mbështesin punëtorët deri në marrjen e mjeteve që atyre u takojnë.

Valmira Bujupi, përfaqësuese e kompanisë “ERIK” Sh.P.K. ka thënë se të gjitha listat e punëtorëve tashmë janë përcjellë në Spitalin Regjional nga ana e kompanisë.

“Nuk ka bazë ligjore që na lejon neve si operator privat të aplikojmë për shtesat e punëtorëve. Me rastin e Spitalit të Gjakovës ne i kemi dërguar listat, ndonëse edhe ata na kanë konfirmuar që listat kanë shkuar me vonesë në Ministri të Shëndetësisë. Ne do t’i mbështesim punëtorët tanë sepse u takon pasi kanë të bëjnë direkt me punëtorët me COVID-19”, ka thënë Bujupi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave dhe ende është në pritje të përgjigjes së tyre.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), kanë arritur marrëveshje  në fund të muajit tetor për pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës, në sistemin primar, sekondar dhe terciar, deri në fund të vitit 2020, bazuar në Ligjin COVID-19.

Sipas kësaj marrëveshjeje, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, infermierët 150 euro, stafi mbështetës  100 euro në muaj.

Këto pagesa do të jenë prej muajit shtator e deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhej që kryeministri Hoti është zotuar se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryejë edhe pagesat shtesë për stafin mbështetës, për muajt korrik dhe gusht të këtij viti.

Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Qeveria arrijnë marrëveshje për pagesat shtesë për punëtorët shëndetësorë

 

Punëtorët e higjienës në Spitalin e Gjakovës nuk i marrin pagat shtesë, paralajmërojnë grevë për të hënën