Mitrovicë - Protestojnë punëtorët shëndetësorë, kërkojnë shtesat prej 300 euro

Mjekë e infermierë të mjekësisë familjare në Mitrovicë kanë protestuar sot, për të kërkuar shtesat e qeverisë

Ata kanë paralajmëruar se nuk do të punojnë nesër duke filluar nga ora 08:00 e deri në orën 09:30.

Protesta e sotme u mbajt para objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe ne fillim të shtatorit kur punëtorët shëndetësorë kishin paralajmëruar protesta, për arsye se dy muaj me radhë nuk kishin marrë shtesat e qeverisë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj lidhur me këtë çështje kishte deklaruar se listat të cilat janë dërguar më herët s’ kanë qenë në përputhje me kriteret për Pakon emergjente.

“Unë sot kam pranuar një shkresë nga kryesia e Sindikatës së QKMF-së në Mitrovicë, listat janë përpiluar më herët, ka ardhë një listë mirëpo ajo listë s’ ka qenë konform vendimit të Qeverisë kështu që është kthy ngase ka qenë një shumë e papërballueshme, pastaj është kthy lista ka ardhë një listë e dytë ku as ajo s’ ka qenë në përputhje me kriteret e caktuar nga vendimi i Qeverisë. ndërsa sot QKMF-ja në Mitrovicë e ka sjell një listë tjetër ku faktikisht kanë qenë të përzgjedhur direkt personat të cilët janë përcaktuar sipas vendimit të Qeverisë, ku janë plotësuar kriteret bazike për përfitimin nga Pakoja“, pati deklaruar Hasanaj.

Po ashtu, Hasanaj ka thënë se tashmë lista tashmë ishte dërguar në ekzekutim në Ministrinë e Financave.

“Kështu që ajo listë është nënshkruar dhe është dërguar në Ministrinë e Financave për ekzekutim, pasi që është filtruar edhe një herë dhe janë verifikuar gjithë emrat që kanë qenë në atë listë. Arsyeja e mosekzekutimit deri me tani ka qenë se listat paraprake s’ kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë për Pakon emergjente “, sqaroi Hasanaj.

Por një muaj pas punëtorët shëndetësor në Mitrovicë kanë protestuar para objektit të QKMF-së duke kërkuar përsëri shtesat prej 300 euro.