Deputeti Azem Syla në Polici - Foto: KALLXO.com

5 vjet nga bastisja e shtëpisë së Azem Sylës - VIDEO

Sot, janë bërë 5 vite që nga bastisja e shtëpisë së Azem Sylës.

Më 27 prill të vitit 2016 EULEX dhe Policia e Kosovës kishin nisur një aksion, i cili aksion përfshiu edhe ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën.

EULEX kishte trokitur në shtëpinë e Azem Sylës në fshatin Kishnarekë të Drenasit, por të njëjtin nuk e kishin gjetur aty.

Dyshimet për Sylën kishin të bëjnë se ai është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zona kadastrale përreth ‘Veternikut’ dhe ‘Çagllavicës’.

Më pas, kishin filluar procedura gjyqësore, ku në shkurt të vitit 2020 ishte mbajtur seanca e fundit.

Në rastin e njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Azem Syla dhe 17 persona të tjerët po akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në ‘Veternik’ e ‘Llapnasellë’.

Gjyqtarja e cila pritet ta gjykojë tash këtë rast, është Shpresa Hasaj– Hyseni dhe ky gjykimi pritet të fillojë nga pika zero.

Para gjyqtares Hasaj- Hyseni, ky rast është gjykuar nga gjyqtari Beqir Kalludra, i cili nuk arriti t’i jap një epilog, pasi në dhjetor të vitit të kaluar ishte avancuar duke u bërë pjesë e Gjykatës së Apelit.

Prokuroria Speciale me 25 tetor të vitit 2016, kishte ngritur 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pika.

Në këtë rast të akuzuar janë Azem Syla, Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Ndërsa pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha.

Por për Nuhi Ukën dhe Shqipe Maxhuniin është pushuar procedura pasi të njëjtit kanë vdekur, ndërsa për shkak se Gjykata nuk kishte arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, ndaj të njëjtëve procedura është veçuar.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.