
Mjeket e pensionuar - Foto: Komuna e Prishtines
Komuna e Prishtinës angazhon mjekët e pensionuar për dhënie të këshillave
Komuna e Prishtinës ka nisur angazhimin e mjekëve të pensionuar në kryeqeytet në cilësinë e këshilltarëve profesionalë për Drejtorinë e Shëndetësisë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ditë më parë bëri të ditur si ky hap u mor duke marrë parasysh rëndësinë dhe mungesën e mjekut të familjes.
“Duke marrë parasysh rëndësinë dhe mungesën e mjekut të familjes, së bashku me drejtorinë e shëndetësisë kemi vendosur që të angazhojmë mjekët e pensionuar, të cilët gëzojnë shëndet dhe kanë gatishmëri për të vazhduar kontributin e tyre për zhvillimin dhe avancimin e mjekësisë familjare në kryeqytet”- ka shkruar Rama.
Derisa, drejtori i Shëndetësisë u shpreh i lumtur me gatishmërinë e tyre për të dhënë kontribut.
“Jam i lumtur dhe i fascinuar me gadishmërinë dhe përkushtimin e kolegëve për tu anagzhuar për të dhënë kontributin e tyre në rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore për qytetarët e kryeqytetit”- ka shkruar drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku.
Komuna e Prishtinës kohëve të fundit është duke u përballur me mungesë të mjekëve të përgjithshëm në kujdesin parësor.
Shumë punkte të ambulantave në fshatra janë mbyllur, duke e bartur stafin mjekësor në qendra më të mëdha.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, Komuna e Prishtinës nuk ka të drejtë të mbajë më shumë se 871 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor.
Aktualisht, në Prishtinë qytetarët shërbimet i marrin në nivelin parësor (QMF) dhe në raste më serioze drejtohen në nivelin terciar (QKUK).