Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

'Sëmundja nuk pret!' - Qytetarët ankohen për kujdestaritë e barnatoreve në Prishtinë

Vështirësitë në gjetje të lokacionit e numri i ulët i barnatoreve kujdestare në Prishtinë sidomos gjatë të dielave, janë disa nga ankesat më të mëdha të qytetarëve pasi Komuna e Prishtinës ka nisur aplikimin e një rregulloreje për këtë çështje. 

“Sëmundja nuk pret!” – shprehet qytetari nga Prishtina Tahir Neziri, teksa flet për vështirësitë në furnizim me ilaçet në kohën e kujdestarive të barnatoreve në kryeqytet, pas miratimit të një rregulloreje nga Komuna e Prishtinës më 4 shtator të këtij viti.

Neziri nuk e sheh si zgjidhje të duhur çështjen e barnatoreve, sidomos edhe furnizimit të tyre, gjatë natës, në fundjavë e në kohë festash.

“Problem kryesor është se sa janë të furnizuara me barna. Shumë prej tyre janë barnatore të vogla. Ata që kanë nevojë për barna, duhet të enden nga lagjia në lagje dhe është vështirë për t’i gjetur në periferi. E edhe më keq kur nuk i gjejnë barnat e kërkuara. Sëmundja nuk pret! Nuk di a do të ishte më mirë, që kujdestare të jenë barnatoret që kanë edhe depo të tyre dhe që janë të furnizuara më mirë! Kështu, si është tash, nuk është zgjidhje fatlume”- tha ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, qytetari Besim Bulliqi ka vështirësi për t’u informuar rreth orarit të punës dhe se cilat janë barnatoret kujdestare.

“Së paku të ketë njoftim për orarin e barnatoreve e jo të hyjmë nëpër Facebook të kërkojmë ku e cila është hapur”- u shpreh ai për KALLXO.com.

Çka përcakton rregullorja? 

Komuna e Prishtinës nga muaji tetor ka nisur aplikimin e rregullores për kujdestaritë e barnatoreve në mënyrë që siç thonë ata që qytetarët të mund të marrin shërbime 24 orë.

Më rregulloren e re e cila u miratua në shtator në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, orari i punës për barnatoret e sënë deri të shtunën është nga  07:00 deri 21:00.  Derisa, çdo natë prej të hënës deri të Shtunën, prej orës 21:00 deri në mëngjesin e ardhshëm 07:00 punojnë 5 barnatore kujdestare.

Të dielave dhe gjatë festave në Prishtinë punojnë 10 barnatore me orar 07:00 deri të nesërmen në ora 07:00 (24 orë kujdestari).

Sipas kësaj rregulloreje, dënimet për barnatoret që nuk e respektojnë orarin shkojnë nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Drejtoria e Shëndetësisë pati bërë të ditur se barnatoret do të punojnë me rotacion, për shkak të numrit të madh që ka Prishtina, orari për to është përpiluar deri në janar 2024.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku thotë për KALLXO.com, se në kujdestari janë të përfshira vetëm 165 barnatore pasi disa për arsye të cilat i kanë konsideruar të mirëqena, janë liruar. Prishtina i ka mbi 180 barnatore të regjistruara.

“Parimisht të gjitha barnatoret kanë qenë të përfshira në kujdestari por pasi që disa nga to kanë paraqitur kërkesë për arsye të cilat i kemi konsideruar si të mirëqena janë liruar nga kujdestaria, por duke respektuar orarin e rregullt”- ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, kjo listë pas muajit janar do të rishikohet.

Sadiku tutje theksoi se ankesa më e madhe që kanë marrë nga qytetarët është se kanë vështirësi në gjetje të lokacionit të barnatoreve kujdestare.

Lidhur me këtë, komuna gjatë kësaj jave ka nisur të publikojë orarin së bashku me lokacionin e barnatoreve.

Sipas drejtorit Sadiku, listat e barnatoreve kujdestare janë vënë edhe në muret e Qednrave të Mjekësisë Familjare në lagjet e kryeqytetit si dhe pritet të integrohen edhe në një ueb-faqe me aplikacion e që do të ofrojnë edhe direksione në ‘Google maps’ deri te barnatorja më e afërt.

Një ueb-faqe për t’u informuar për barnatoret kujdestare është mundësuar edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Dyshime për efikasitet 

Çështja e barnatoreve kujdestare po kritikohet edhe nga Lule Alidema, psikologe klinike.

Ajo thotë për KALLXO.com, se u shpreh se rregullorja e komunës nuk ka ende vende të sakta informimi.

“Dyshoj se nuk është zgjidhja e duhur sepse kur bëhet fjalë për rast urgjent duke mos pasur një vend të saktë informimi, duke pasur mungesë të emërtimeve të rrugëve etj. këto e shumë pengesa mendoj që qytetarit ia komplikojnë zgjidhjen e problemit” – shprehet ajo.

Sipas Alidemës, gjidhja më e drejtë do tē ishte që qytetari t’i marrë të gjitha shërbimet brenda qendrës spitalore “dhe fare të mos ta ketë nevojë të dalë të kërkoj natën barnatore për blerjen e medikamenteve.”

Vendimin ajo po e konsideron të nxituar.

“I nxituar them duke pasur parasysh se në Qendrën Klinike Spitalore në vend shpeshherë janë mungesë medikamentet e nevojshme, mbase edhe atëherë kur bën fjalë për rastet me rrezik jete dhe që familjari i pacientit detyrohet ta bëjë zgjidhjen nëpër barnatoret jashtë spitalit”- shtoi më tej Alidema.

Sipas psikologes, barnatoret nuk përbëjnë luks, por nevojë.

“Po besoj se as nuk do të ishte interesi i barnatoreve të punohet natën por janë më shumë nevojë për qytetarët. Ose të jetë në funksion 24/7 në shërbim të qytetarëve një barnatore në kuadër të QKUK, dhe të jetë e furnizuar me çdo medikament dhe të përmbushë çdo nevojë urgjente të qytetarit. Ndryshe kjo formë e funksionimit të tanishëm të kësaj rregullore dyshoj se nuk është më e drejta”- u shpreh Alidema.

Ndërkaq, barnatorja Kushtrimi në një prononcim për KALLXO.com thekson se nuk kanë ndonjë ankesë sa i përket kësaj rregulloreje.