Ferizaj, Peja, Gjilani e Mitrovica me rritje buxheti, por me zvogëlim të investimeve

Komunave të Kosovës u është rrit buxheti për vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, për 82 milionë euro. Megjithatë sipas një analize të KALLXO.com, mbi 80% e kësaj rritjeje ka shkuar në paga dhe mëditje, duke mos reflektuar në investime kapitale.

Pavarësisht rritjes së përgjithshme të buxhetit për komuna me 82 milionë euro, Ligji i Pagave i miratuar këtë vit ka pamundësuar duar që kjo rritje të jetë e vrejtshme, pasi që shumë prej tyre shkojnë në paga.

Për disa komuna të Kosovës, buxheti për investimet kapitale është zvogëluar krahasuar me vitin 2023.

Investimet kapitale janë projektet që i kryejnë institucionet për zhvillimin e vendit. Disa nga shembujt mund të jenë shtrimi i rrugëve, ndërtimi i spitaleve e ambulancave, krijimi i parqeve apo edhe projekte të llojeve të tjera.

Nga komunat e mëdha të Kosovës, komunat si Ferizaj, Peja, Mitrovica e Gjilani kanë pësuar zvogëlim të buxhetit për investimet kapitale krahasuar me vitin 2023.

Me mbi 3 milionë e 80 mijë euro u rrit buxheti i Ferizajt për vitin 2024, megjithatë buxheti për investimet kapitale ka rënë nga 12 milionë e 114 mijë e 664 euro sa ishte për vitin 2023 në 11 milionë e 337 mijë e 196 euro.

777 mijë e 468 euro më pak për zhvillimin e qytetit të Ferizajt planifikohen për vitin 2024 krahasuar me sivjet.

Disa nga projektet më të mëdha të investimeve kapitale në Ferizaj për vitin 2024 janë: Ndërtimi dhe zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në Ferizaj dhe disa fshatra që prej shifrën prej 500 mijë euro; Rregullimi i disa rrugëve dhe trotuareve me asfalt dhe kubëza që kap vlerën prej 400 mijë euro; Ndërtimi i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë afër stacionit policor në Ferizaj me vlerë prej 2 milionë eurove; Rikonstrumi i rrjetit të ndriçimit publik në disa zona të qytetit dhe disa fshatra që kap vlerën prej 300 mijë eurove; Zgjerimi dhe rregullimi i parkut “Liria” me vlerë prej 250 mijë eurove; Pyllëzimi dhe rregullimi i parkut në kodrën e Sherretëve me vlerë prej 250 mijë eurove.

Mbi 4 milionë e 100 mijë euro më shumë do ketë buxhet Peja në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.

Buxheti për investime kapitale kësaj komune iu zvogëlua nga 12 milionë e 157 mijë e 418 euro në 12 milionë e 26 mijë e 271 euro, që i bie 131 mijë e 147 euro më pak për zhvillimin e kësaj komune.

Nga projektet që i ka planifikuar Komuna e Pejës për të investuar gjatë vitit 2024, si më të mëdhatë shihen: Ujësjellësi për fshatrat e Lugut të Baranit që prej vlerën prej 400 mijë eurove; Ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra, që kap vlerën prej 300 mijë euro; Ndërtimi i Sheshit Hotel Korzë – Ura e zallit, projekt që prek shifrën prej 500 mijë euro; Ndërtimi i Deponisë së mbeturinave në Sferkë prek shifrën prej 672 mijë e 500 euro; Ndërtimi i disa rrugëve prek vlerën prej 1 milion e 700 mijë euro.

Me mbi 4 milionë e 580 mijë euro është rritur edhe buxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2024.

Buxheti për investimet kapitale në këtë komunë ka rënë nga 8 milionë e 435 mijë e 158 euro në 8 milionë e 365 mijë e 443 euro, që i bie 69 mijë e 715 euro më pak buxhet për projektet kapitale.

Në buxhetin e vitit 2024 për investimet kapitale për Komunën e Gjilanit si projektet më të mëdha bien në sy: Ndërtimi – rikonstruimi i rrugës – “Adem Jashari” dhe “Zija Shemsiu” me vlerë 349 mijë e 879 euro; Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Dheu i Bardh” ( krahu 1-9) Faza I dhe II që kap vlerën prej 359 mijë e 264 euro; Ndërtimi i projektit te integruar te Bulevardit te Qytetit – Gjilan me vlerë prej 1 milion euro; Participim në projekte të bashkëfinancuara nga donatorët që kap shifrën prej 1 milion e 238 mijë e 17 euro; Ndërtimi i parkut “Livadhet e Arapit”, “Fidanishtja I”, “Kodra e Dëshmorëve” dhe Qarku-Shpronësimi, me vlerë prej 500 mijë euro.

Me gati 3 milionë e 400 mijë euro u rrit buxheti i Komunës së Mitrovicës për vitin 2024.

Megjithatë buxheti për investimet kapitale ka rënë nga 6 milionë e 731 mijë e 896 euro në 6 milionë e 629 mijë e 369 euro, që i bie një zvogëlim i këtij buxheti për vlerën e 102 mijë e 527 eurove.

Prej buxhetit të vitit 2024 për investimet kapitale në këtë komunë, projektet që kapin shifrat më të larta janë këto: Ndërtimi i rrugës Ali Zeneli me vlerë prej 390 mijë eurove; Ndërtimi i rrugës Lah Nimani dhe Evlia Qelebia që kap shifrën prej 442 mijë e 453 eurove; Ndërtimi i rrugës Dëshmorët e Kombit-Shipol, projekt me vlerë prej 428 mijë e 205 euro; Ndërtimi i QKMF-së Dr. Nexhat Çuni – Mitrovicë me vlerë prej 400 mijë eurove; Ndërtimi i bibliotekës së Qytetit “Latif Berisha” që kap shifrën prej 380 mijë euro.

Rritja milionëshe e buxhetit të komunave – 80% shkojnë në paga