Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Gashi flet për punët që u kryen në Obiliq gjatë këtij mandati

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka folur lidhur me projektet që janë kryer dhe ato që janë në proces gjatë këtij mandati.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” foli për ndërtimin e dy shesheve dhe krijimin e një ndërmarrjeje që do mirëmbajë ambientin dhe infrastrukturën e kësaj komune.

“Janë dy projekte për sheshe që janë duke u realizuar, sheshi “Dëshmorët e Kombit’ përfundon në fund të muajit, në këtë rast investitor ka qenë Ministria e Infrastrukturës dhe ne kemi zhvilluar punime varësisht nga mjetet që na janë alokuar. Sheshi “Adem Preniqi” është me buxhet komunal, 60 për qind është gjelbërim”, tha ai.

“Tani kemi krijuar një ndërmarrje lokale për mirëmbajtje, besojmë që do ketë mbi 150 punëtorë. Punët që pritet të kryejë kjo ndërmarrje janë mirëmbajtja e nxemjes qëndrore, laboratori që do merret me matje të ndotjes së ajrit, ujit, dhe tokës, mirëmbajtjen e shesheve, parqeve dhe institucioneve. Buxheti vjetor që kemi planifikuar për ndërmarrjen është mbi 500 mijë euro,” ka thënë Gashi.

Projekt tjetër i madh sipas tij është edhe krijimi i një zone ekonomike.

Sipas Gashit, Komuna me anë të Ligjit për Obiliqin ka marrë shtesë rreth 4.6 milionë euro me të cilat janë zhvilluar shumë projekte.

“Zona ekonomike e Obiliqit është në proces, ne kemi ndarë disa prona për kompani të ndryshme, këtë vit presim zhvilime të reja. Me këtë krijojmë mundësi për vende pune, mbi 1,300 punëtorë presim t’i kemi sipas statistikave” tha Gashi.

“Ndërsa nga buxheti i Ligjit për Obiliqin prej 4.6 milionë euro shtesë vetëm vitin e kaluar, janë realizuar projekte si; ndërtimi i shesheve, 13 parqe, janë pastruar zona me materiale inerte, po ndërtohet një bibliotekë, shtëpia e kulturës është ndërtuar, janë rrënuar mbi 100 banesa të vjetëruara që kanë qenë në pronësi të KEK-ut dhe tani është pronë komunale, janë ndërtuar disa anekse shkollore, janë ndarë mjete për të prekurit me COVID-19 dhe lehonat përfitojnë nga 150 euro”, shtoi tutje i pari i Obiliqit.