Ndriçimi publik, Foto: Freepik

OSHP-ja gjen çmime jonormalisht të ulëta për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në Obiliq

Si pasojë e tejzgjatjes së procedurave të prokurimit dhe shkeljeve të Ligjit të Prokurimit, Komunës së Obiliqit i kishte dështuar tenderi për “Mirëmbajtjen e Ndriçimit Publik”.

Procedurat janë tejzgjatur pas ankesave të operatorëve ekonomikë që kanë ofertuar, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), apo e njohur ndryshe edhe si Gjykata e Tenderëve kishte konstatuar se në njërën prej ofertave kishte çmime të manipuluara, pasi ishin jonormalisht të ulëta.

Si pasojë e dështimit të tenderit, Komuna më pas këtë projekt ia kishte kaluar ndërmarrjes publike lokale “Kastrioti”.

Më 28 nëntor 2022, Komuna e Obliqit kishte hapur tenderin që synonte mirëmbajtjen e ndriçimit publik.

Komuna e Obiliqit kishte kërkuar oferta për 97 pozicione, të gjitha që kishin të bënin me mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Në dokumentin në të cilin Operatorët Ekonomikë duhet të tregonin për çmimin që ofertonin nuk janë dhënë shifrat e përafërta për secilin prej pozicioneve, e as nuk është treguar se kemi të bëjmë me një kontratë publike kornizë me çmime për njësi me poentim.

Komuna as nuk ka publikuar informacione rreth rrjetit të ndriçimit publik që do të mirëmbahej. Operatorët Ekonomikë janë ftuar të ofertojnë për një pozicion, shembull çfarë çmimi kërkojnë ato për “Furnizim, transport dhe montim të trupit ndriçues me poça të CFL 60w, më lirë, qelq dhe material tjetër i nevojshëm për përforcim. Komplet”.

Pas dorëzimit të ofertave, Komuna e Obiliqit kishte pranuar 7 oferta. E më 28 dhjetor të vitit 2022, Komuna e Obiliqit kishte rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik “Item El” me çmimin e ofertuar prej 179.50 euro për njësi.

Por ndaj këtij vendimi kishte bërë ankesë operatori ekonomik “Ndriqimi” në Komunën e Obiliqit. Por këta të fundit ia kishin refuzuar ankesën.

Më pas, “Ndriqimi” i ishte drejtuar Gjykatës së Tenderëve.

Me 8 maj 2023, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte aprovuar ankesën e kompanisë “Ndriqimi” duke konstatuar se në ofertën e dorëzuar nga kompania “Item El” kishte çmime të manipuluara, apo siç njihen në Ligjin e Prokurimit Publik “çmime jonormalisht të ulëta”.

Konkretisht, fillimisht eksperti shqyrtues i OSHP-së kishte konstatuar se te njëri pozicion për furnizim, transport dhe montim të trupit ‘LED’ me fuqi prej 50W kishte ofertuar më çmim prej 30 euro, te pozicioni tjetër me numër 3, në të cilin ishte kërkuar “furnizim, transport dhe montim i trupit ‘LED’ me fuqi prej me 56W”, operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë kishte ofertuar me vetëm 1 euro. Edhe në pozicionin tjetër në të cilin ishte kërkuar “furnizim, transport dhe montim i trupit ‘LED’ me fuqi 84W, kompania kishte ofertuar vetëm 1 euro. Ndërsa, tek pozicioni numër 5 në të cilin ishte kërkuar fuqia 100W, është ofertuar çmim prej 30 euro.

Eksperti shqyrtues i caktuar nga OSHP-ja, kishte thënë se duke marrë parasysh dallimin e fuqisë në Wat, operatori ekonomik ka ofruar çmime manipulative që nuk janë çmime të tregut.

“Duke marrë parasysh që operatori ekonomik do të bëjë furnizimin, transportin dhe montimin e trupit LED dhe çmimi prej 1 euro është çmim që nuk përkon me çmimet reale të tregut, pasi që çdo pozicion fuqia e Wat-eve shkon duke u rritur” – thuhet në ekspertizë. Të njëjtën ekspertizë e ka përkrahur edhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së.

Manipulimi i çmimeve fillimisht kishte qenë pretendim i kompanisë “Ndriqimi” që më pas i ka vërtetuar eksperti shqyrtues dhe vetë OSHP-ja.

Një tjetër pretendim i kompanisë ankuese “Ndriqimi” kishte qenë se kompania e rekomanduar për kontratë kishte mospërputhje në pozitat e punëtorëve të prezantuar në listën e dorëzuar në ofertë dhe të kontratave të punës.

Edhe këtë pretendim të “Ndriqimit” e kishin konstatuar eksperti shqyrtues dhe OSHP-ja, duke ia miratuar si të bazuar.

Në fund, OSHP-ja kishte vendosur që të anulojë vendimin e Komunës së Obiliqit që kompania “Item El” ta fitojë tenderin dhe lënda ishte kthyer në rivlerësim.

Pasi kishte bërë rivlerësimin e ofertave, me 7 qershor 2023, Komuna e Obiliqit kishte rekomanduar për dhënien e kontratës kompaninë “Riasmont” me çmimin e ofertuar prej 182.35 për njësi.

Ndaj këtij vendimi kishte bërë ankesë kompania që herën e parë ishte rekomanduar për kontratë “Item El”. Kërkesën e kishte pranuar pjesërisht Komuna dhe më 16 qershor 2023 e kishte kthyer prapë lëndën në rivlerësim.

Por në fund e kishte anuluar përfundimisht aktivitetin e prokurimit.

Në vendimin e datës 5 korrik 2023 thuhet se tenderi anulohet përfundimisht me kërkesën e njësisë kërkuese, pasi ishte tejzgjatur.

“Meqenëse inicimi i kësaj procedura ka filluar me 25 nëntor 2022 dhe për arsye të kërkesave për rishqyrtim që kemi pasur nga operatorët, procesi ka qenë i zgjatur ku po vazhdon tutje. Me kërkesë të njësisë kërkuese, Autoriteti Kontraktues anulon këtë aktivitet të prokurimi” – thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, projekti ishte bartur tek Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti”, e cila sipas vendimit, do t’i kryejë këto shërbime.

Kundër këtij vendim ishte ankuar kompania “Anesi Sh.p.k” me pretendimin se nuk janë trajtuar të gjithë OE-të në mënyrë të barabartë, siç kërkon Ligji i Prokurimit. Por, Komuna e Obiliqit e kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim.

“Të gjithë OE janë trajtuar në mënyrë të barabartë nga Komisioni Vlerësues sepse procedura është anuluar në tërësi. Mirëpo, me kërkesë ptë njësisë kërkuese, AK e ka anuluar procedurën me arsyetimin të bartjes së lëndës tek Ndërmarrja Publike “Kastrioti Sh.A”, e cila tash e tutje do t’i kryejë këto shërbime të mirëmbajtjes së rrjetit, dhe po e njëjta procedurë do të rishpallet prapë nga ndërmarrja” – thuhet në vendimin e Komunës së Obiliqit.

Pas këtij vendimi, asnjë OE nuk ka paraqitur ankesë në OSHP duke i hapur rrugë komunës që të publikojë dhe njoftimin për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit. Anulimi është bërë më 26 korrik 2023.

Ky artikull është shkruar nga Arian Hajdaraj përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.