Foto: Ilustrim

Dyshime për tjetërsim të kundërligjshëm të një prone, arrestohen dy zyrtarë të Komunës së Obiliqit dhe një qytetar

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka arrestuar tre persona nën dyshimet se një pronë është tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas njoftimit të Policisë, dy nga personat që u arrestuan janë zyrtarë të Komunës së Obiliqit, dhe një qytetar.

Tre të dyshuarit, sipas Policisë, janë intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori qytetari është dërguar në ndalim policor deri në 48 orë, kurse ndaj dy të dyshuarve tjerë – zyrtarë komunalë rasti do të vazhdohet në procedurë të rregullt.

Operacioni është kryer nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës.

Dy zyrtarët komunalë të arrestuar A.B. dhe N.K.Sh., dyshohet se janë përfshirë në veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa qytetari i përfshirë në këtë rast, R.H., sipas Policisë, dyshohet se ka kryer veprat penale – legalizim i përmbajtjes së rreme; falsifikim i dokumenteve dhe mashtrim.