Shatri kritikon Qeverinë Kurti: Vendimet për tatimin në pronë po merren në mënyrë të çuditshme

Me ndryshimin e Ligjit pritet që të ndryshohet edhe shkalla tatimore e që do të ketë rritje për pronat me vlerë mbi 100 mijë euro deri në 5 milionë euro, pra do të aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.10% deri në 1%.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave ka kritikuar Qeverinë e tanishme duke thënë që këto vendime merren në mënyrë të ‘çuditshme’, duke iu referuar rivlerësimit për tatimin në pronë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kësaj i vërehet efekti pas 1 viti e gjysmë.

“Një herë t’i rrit çmimet, tani t’i falë, e nxjerr një ligj që s’e ka parë askush. As në Komisionin për Buxhet nuk ka qenë e mundur të diskutohet sepse ka pasur arrogancë. Çdoherë janë duke ndërruar politikat fiskale, po bëhet e përshkallëzuar” – ka thënë Shatri.

Ai ka shtuar se me këtë rivlerësim tatim më shumë do të paguajnë bizneset e mëdha.

“’Prishtina Mall’ tash që kanë hapësirën e madhe do të paguajnë 100 milionë euro tatim në pronë, në vitin 2025 d.m.th. Pas 1 viti e gjysmë do t’ia nijna erën kësaj pune” – tha më tej Shatri.

Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës dhe udhëheqës i komitetit të financave në Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka folur për tatimin progresiv, duke thënë që normat për ekonomitë e tregut vendosen duke pasur parasysh disa kritere.

“Duhet të merret parasysh niveli i të hyrave familjare kur do me tatimu një pronë me tatim progresiv. S’mundesh me tatu një pronë pa e ditë a është ajo e trashëguar pasi që mund të mos ketë kushte ta paguajë atë pronë. D.m.th. jo domosdoshmërisht dikush që e ka trashëguar një pronë është i pasur” – tha Abazaj.

Projektligji gjithashtu parasheh edhe disa masa tjera që lehtësojnë barrën e qytetarëve, por edhe sigurojnë menaxhim më efikas të tatimit në pronë, si:  lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore;  kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor;  zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.