Rrëfimi për masakrat që kryenin forcat serbe gjithandej në Kosovë

Nënë e dy fëmijëve e tashmë psikologe me profesion, Donika Shahini-Lami periudhën e luftës e kaloi me gazetarë ndërkombëtarë, me të cilët punuan vazhdimisht për t’i dëshmuar krimet që u bënë atë kohë.

Asokohe ajo ishte veç 19-vjeçe. Së bashku me gazetarë të televizionit publik japonez shkoi në qytete e fshatra të Kosovës, ku forcat serbe kryenin krime.

Punën si koordinatore e televizionit publik japonez në Kosovë, me të cilin punoi që nga 1997 deri në mes viteve 2000-2002, e mbante njëkohësisht me punën si gazetare e një gazete vendore, e edhe si anëtare e kryesisë së Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovë.

Donika Shahini-Lami në emisionin “Kallxo Përnime” përshkruan punën që me kolegët e saj e bënin në terren gjatë ditës, e me këtë punë dokumentuan një pjesë të historisë së Kosovës.

Kthimin në Prishtinë e kishin me urata të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të prindërve që humbnin fëmijët e tyre në luftë, por që në mesin e mërzisë së tyre gjenin pak forcë që të luteshin që Shahini e të tjerët të mbesnin gjallë.

Kryeqyteti i priste të mblidheshin në Qendrën Informative të Kosovës, aty ku informatat e terrenit, që ishte mjaft i vështirë, i ndanin me publikun.

Raportimi nga zonat e luftës nuk ishte puna e vetme që ajo bënte. Ajo energjinë e saj e shpenzonte edhe në Prishtinë, ku së bashku me disa prej emrave më të njohur të luftës organizuan protesta që bënë bujë e bllokuan sheshet e kryeqytetit.

Është protesta për Drenicën që u mbajt në Prishtinë. Pamjet e nga kjo protestë e shfaqin Donika Shahini-Lamin në ballë të saj.

Lufta e paslufta e Kosovës shpeshherë kujtohet me disa emra të përveçëm që bënë historinë e këtij vendi. Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Fehmi Agani janë vetëm disa prej shumë emrave të njohur me të cilët Shahini punoi.

Të njëjtët nga Donika Shahini-Lami përshkruhen si persona motivues, heronj, udhëzues e frymëzues, të cilët vazhdimisht këshillonin atë e të tjerët që raportonin nga terreni.

“Donikë, të lutem, tregojuni kolegëve ndërkombëtarë realitetin e popullatës civile” – kujton Donika Shahini-Lami fjalët e Fehmi Aganit gjatë kohës kur ajo i kujton momentet me të.

Me emocione ajo kujton edhe kohën kur vizitonte familjarët që më të dashurit ia mori lufta. Tregon se përballë tyre nuk i mbante lotët, e forcë i jepnin vetë ata.

Një vizitë të tillë Donika Shahini-Lami e kishte kryer edhe gjatë varrimit të familjes Jashari, të cilën serbët e masakruan. Ajo po ashtu kishte vizituar edhe vende e kishte parë gjëra që e kishin bërë atë që të vinte veten në mëdyshje nëse do arrijë t’i përballojë traumat që kishte marrë nga çfarë vazhdimisht ajo shihte.

Mirëpo, ajo tregon që profesionalizmi që kishin kolegët e saj japonezë kishte bërë që ajo prapë të gjente forcë e të mos ndalej.

Donika Shahini-Lami pas luftës punoi një kohë si profesoreshë e psikologjisë e tash psikologe klinike në Qendrën Kosovare të Shëndetit Mendor, ku një pjesë të personave që ajo trajton janë personat që pësuan trauma nga lufta.