Vrasja e pesëfishtë në Rakovinë të Gjakovës, Donika Shahini-Lami tregon çfarë pa në vendin e ngjarjes

“Është momenti ku ne shohim trutë në tokë, unë e shoh që gruaja ka pasë mundësi të jetë shtatzënë sepse e shoh një bark të rrumbullakosur” – fillon t’i përshkruajë ngjarjet që kishte parë më 25 janar 1999 në Rakovinë të Gjakovës, ku forcat serbe kishin vrarë pesë persona.

Është Donika Shahini-Lami ajo që në emisionin “Kallxo Përnime” ka ndarë rrëfimin e saj për luftën e fundit në Kosovë.

Ishte vetëm 19-vjeçare kur filloi të punonte me televizionin publik japonez, me gazetarët e të cilit çdo ditë dilte në terrene të vështira për të raportuar për krimet e serbëve që kryen në Kosovë gjatë viteve ’90.

Shahini-Lami që mbante pozitën e koordinatores të televizionit japonez në Kosovë, me emocione ka ndarë kujtimet e xhirimet që ajo ka ruajtur që nga lufta e deri më tani.

Një nga shumë ngjarjet e rënda që ajo ka përjetuar është edhe ajo në Rakovinë të Gjakovës, vetëm 10 ditë pas masakrës së Reçakut.

E me qëllim që ta humbin mendjen nga ajo çfarë panë në Reçak, Donika Shahini-Lami së bashku me ekipin japonez nisen për në Gjakovë, duke tentuar të gjejnë zona ku nuk ka luftë e të marrin rrëfime nga popullata civile.

“Në tmerrohemi çka shohim në Reçak. Unë them hajde po shkojmë po xhirojmë diku ku nuk ka luftë, me e pa se si po jetojnë popullata civile” – kujton ajo.

Rrëfimet i marrin, e njëra prej këtyre rrëfimeve tregon se në Rakovinë ishte kryer edhe një masakër tjetër.

Rrugës për në këtë fshat, Donika Shahini-Lami e televizioni japoneze ballafaqohen me një tmerr tjetër, ata shohin pesë persona të vrarë në një traktor, dy nga ta të mitur.

“Zbresim poshtë e ballafaqohemi me këtë krim, policia nga post-blloku i gjuajnë këta banorë në këtë traktor” – thotë ajo.

Një burrë 40-vjeçar dhe një grua 30-vjeçare u gjetën të vrarë në traktor, e sipër tyre ishte dhe një burrë tjetër me dy fëmijë.

Mosha e këtyre fëmijëve Shahini thotë se ishte njëri 10-vjeçar e tjetri vetëm një vit më i madh, 11-vjeçar.

“Është momenti ku ne shohim trutë në tokë, unë e shoh që gruaja ka pasë mundësi të jetë shtatzënë sepse e shoh një bark të rrumbullakosur” – kujton ajo.

Deri në atë kohë, Donika Shahini-Lami kishte kryer një vit e gjysmë punë në terren. Ndonëse kishte parë gjithçka të mundur, ajo thotë se pamjet e 25 janarit 1999 kanë vulosur momentin më të frikshëm dhe më të tmerrshëm që ajo ka parë.

Shahini-Lami tashmë është nënë e dy fëmijëve. Pas luftës punoi një kohë si profesoreshë e psikologjisë e tash psikologe klinike në Qendrën Kosovare të Shëndetit Mendor, ku një pjesë të personave që ajo trajton janë personat që pësuan trauma nga lufta.