Rrëfimi për ditën e varrimit të Familjes Jashari në Prekaz

Gjatë kohës sa sheh xhirimet, që ajo vetë i ka ruajtur, të ditës së varrimit të Familjes Jashari, që u masakrua nga forcat serbe në mars të vitit 1998, Donika Shahini-Lami, kujton me emocione kohën kur ajo me ekipin e televizionit publik japonez shkuan të raportonin për këtë ngjarje.

Ende e re në moshë, vetëm 19-vjeçare, Donika Shahini-Lami tregon se u tmerrua me atë se çfarë ajo po shihte më 10 mars 1998, data kur u bë varrimi i familjes Jashari.

Ajo tregon se deri në atë ditë asnjëherë nuk kishte parë kufomë me sy, e atë ditë ajo ishte detyruar që t’i shohë trupat e 22 viktimave, të cilët ishin vetëm familjarët e ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, duke lënë këtu anash viktimat e tjera.

“Deri në atë ditë nuk kisha pa kufomë me sy, është një ndër ditët më të vështira të jetës time. E kujtoj me raste e ndjehem si në ditën e parë kur jam ballafaquar” – thotë ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Pamjet që u xhiruan gjatë ditëve kritike tregojnë edhe plaçkitjen që forcat serbe kishin kryer në shtëpitë e familjes Jashari pas vrasjes që kishin bërë aty.

Shahini tregon që shtëpinë e kësaj familje në Prekaz e vizitoi prapë, katër ose pesë ditë pas varrimit, me kërkesë të televizionit japoneze.

Ky televizion ishte interesuar që të kishte pamje të shtëpisë ku kishin jetuar anëtarët e familjes Jashari, e kjo kërkesë ishte realizuar nga ekipi japonez që koordinatore në Kosovës kishin Shahinin.

Kjo e fundit tregon se vizita e tyre në shtëpinë e Jasharajve, e cila ishte goditur me qindra herë nga plumbat, por që nga atëherë e deri më sot ende qëndron në themelet e saja, ishte e lejuar për vetëm 15 minuta, pasi forcat serbe nuk kishin lejuar më shumë.

E për Shahinin, dhimbja e tmerri i njëjtë si në ditën e varrimit u përjetua edhe në ditën kur ajo shkoi për të xhiruar shtëpinë.

“Shohim gjurmë gjaku gjithkund, sofrën e bukës e copa buke” – kujton Shahini derisa mundohet t’i mbajë lotët.

E emocionet i shtohen edhe më shumë kur asaj i kujtohet momenti kur gazetari japonez kishte gjetur në shtëpinë po thuajse të shkatërruar një kukull në tokë.

Kukulla që ishte e përgjakur u mor nga toka e iu dorëzua Shahinit me kërkesë që e njëjta t’i kthehej familjes Jashari.

“Teksa po ecte aty e gjen një kukull të përgjakur edhe më drejtohet ‘Donikë të lutëm merre këtë kukull edhe premton që do ta sjellësh pas një kohe kur dikush nga familja Jashari të filloj jetën këtu’” – tregon Shahini.

Premtimi nga kjo e fundit u mbajt, pasi kukulla iu dorëzua pas luftës në odën e kësaj familje vëllait të Adem Jasharit, Rifat Jasharit.

Momenti kur Shahini pranoi kukullën nga bashkëpunëtori i saj nga Japonia bëri që gjendja e saj emocionale të kalonte në një situatë tjetër. Ajo thotë se në atë moment nuk pati më forcë dhe filloi që të qaj.

“Kur ai ma jep kukullën më thotë ‘Donikë a është kjo arma e terroristëve, a është kjo arma që Serbia thotë kemi me i vra terroristët, kukulla është arma e tyre, si mundet me qenë fëmija pesë vjeç terrorist’” – tregon Shahini.

Afër kukullës që Shahini mori nga gazetari japonez, ajo pa edhe një fanellë, e cila tha se ishte e përgjakur, por që të njëjtën nuk pati forcë ta merrte.

Emocionet që e kishin kapluar Shahinin, kishin bërë që ajo të bënte edhe veprime instiktive të cilat do i vërente më vonë.

“Pa e mëndu, duke e pa veprimin e gazetarit afër kukullës duke dashtë mos me shiku fanellën e përgjakur unë e kam kap një fletore të shënimeve” – tregon Shahini.

Fletorja që ajo ‘gabimisht’ kishte marr doli të jetë e mbushur me vizatime të ndryshme të fëmijëve të familjes Jashari.

E momenti kur ajo e kupton që ka marr këtë fletore është vetëm pasi të kthehen në Prishtinë, kur ajo ulët ta punoj materialin që kishte xhiruar gjatë ditës.

“I gjej emrat e fëmijëve, e shoh të vizatuar një natyrë të qetë sikur fëmijët e kanë pas imagjinatën asokohe çfarë kanë pa kanë vizatu, e shoh një plak me një plis e me një revole në dorë” – kujton Shahini.

Më 5 mars të këtij viti janë bërë 24 vjet që nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharajve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998.

Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.